Ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj dhe zëvendëskomandanti i policisë Sylejman Halili biseduan gjatë një takimi për gjendjen e përgjithshme të sigurisë në trafikun rrugor në Republikën e Kosovës.
Përgjegjësit e PK e njoftuan ministrin për situatën e përgjithshme të trafikut në Republikën e Kosovës. Ata vunë në dukje problematikat dhe sfidat me të cilat ballafaqohen njësitet e trafikut gjatë kryerjes së detyrave të tyre.
Në këtë takim përgjegjësit e trafikut të PK ngritën shqetësimin për mungesën e sinjalistikës nëpër rrugët e Kosovës dhe mungesës së pajisjeve për PK-së, të cilat do të ndihmonin në përmirësimin e gjendjes së përgjithshme në trafik dhe rënien e aksidenteve me fatalitet dhe dëme materiale.
Ministri Sefaj kërkoi të ketë një mobilizim të përgjithshëm të policisë, në mënyrë që të dalin me hapa konkretë për format të cilat do të ndihmonin rënien e numrit të aksidenteve në trafik.
Ai theksoi se do të angazhohet në koordinim edhe me institucionet përgjegjëse, të cilat përfshihen në fushën e sigurisë në trafik, në mënyrë që ato të jenë në ndihmë të Policisë së Kosovës, me qëllim të rënies së numrit të aksidenteve.