Aktuale

Përmbytjet, ambasadori Lu vlerësim dhe solidaritet për Forcat e Armatosura

Ambasadori Amerikan, Donald Lu vlerëson punën e Forcave të Armatosura.

Këtë diplomati amerikan e tha gjatë një takimi me ministren e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, teksa vizituan sallën operative në Qendrën e Bashkuar Operacionale të Forcave të Armatosura ku u njohën me situatën aktuale pas përkeqësimit të motit në vend.

Ambasadori amerikan vlerësoi punën dhe angazhimin e deritanishëm të FA dhe shprehu solidaritet dhe mbështetje për Ministrinë e Mbrojtjes dhe FA për kapërcimin me sukses të situatës së ditëve të fundit.

Salla operative në QBO funksionon me shërbim 24/24 dhe koordinon të gjitha angazhimet e FA në terren në situata emergjencash. Gjatë natës puna për menaxhimin e situatës në këtë sallë u ndoq nga Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka.

Aktualisht FA kanë të angazhuar në terren 450 efektivë për evakuimin e banorëve dhe ndërhyrjen në argjinaturat e lumenjve.