Heshtje në Qeveri dhe Ministrinë e Financave për atë se me cilat para të buxhetit dhe kur do të kompensohen qytetarët nga zonat e përmbytura. Ekspertët thonë se në arkën e shtetit ka fond rezervë kompensimi, por nuk e dinë nëse këto para mjaftojnë për të mbuluar plotësisht dëmet.
Profesoresha Aleksandra Maksimovska thotë se nëse ato para nuk mjaftojnë, mund të merret një shumë e caktuar nga Ministritë për kompensim.
“Ata kanë mjete ku vetë ministri mund të vendosë për rialokimin e fondeve nga një qëllim për një tjetër. Dhe kur kjo përqindje tejkalon një shumë të caktuar, atëherë do të duhet në mbledhje të qeverisë të vendoset nëse mundet nga një ministri të rishpërndahen në një ministri tjetër. Dhe në qoftë se edhe kjo nuk mjafton, atëherë mund të shkoni me rishikim”, tha Maksimovska.
Ajo nuk beson se qeveria do të shkonte me rishikim të ri të buxhetit, por se me ndihmën e komunitetit të biznesit do të përpiqet t’i mbulojë të gjitha dëmet për të prekurit nga përmbytjet.
Ekspertët shprehin qëndrimin se vendi nuk ka ligj që garanton 100% zhdëmtim nga fatkeqësitë natyrore.
Ish-ministri i Financave Trajko Sllaveski tha se fillimisht duhet të miratohet një akt i veçantë dhe pastaj sipas vlerësimeve të shihet sa para duhen për kompensimin e dëmeve. Alsat M kërkoi sqarim nga Qeveria dhe Ministria e Financave se ku do të gjejnë të holla për kompensim dhe a është i mundur rishikimi i buxhetit. Por nga atje thanë shkurt se në vijim e sipër janë analizat dhe se do të na informojnë pas përfundimit të njëjtë./Alsat/