Aktuale

Përmbyllet inspektimi i përbashkët në vijën kufitare Kosovë-Shqipëri

Inspektorati i Policor i Kosovës dhe Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat kanë nënshkruar sot në Tiranë raportin e përbashkët të inspektimit të policive kufitare të Kosovës dhe Shqipërisë.

Dy agjencitë mbikqyrëse të policive kanë kryer për disa javë inspektime të përbashkëta me objekt vlerësimin e efikasitetit të patrullimeve të përbashkëta të Policisë së Kosovës dhe Shqipërisë përgjatë vijës kufitare, në strukturat e kufirit në Drejtoritë rajonale të Kukësit dhe të Gjakovës.

Në një njoftim thuhet se ky inspektim i përbashkët erdhi pas nënshkrimit të protokollit për inspektim të përbashkët dhe si vazhdimësi e aktiviteteve në kuadër të Memorandumit të mirëkuptimit për bashkëpunim në fushën e kontrollit të brendshëm dhe mbikëqyrjes policore, të nënshkruar nga Ministrat e Brendshëm të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë në marsin e vitit të kaluar.

Qëllimi i këtij inspektimi ishte vlerësimi, dhe  respektimi i detyrimeve që rrjedhin nga Marrëveshjet dhe protokollet në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për bashkëpunimin policor ndërkufitar dhe patrullimin e përbashkët  përgjatë kufirit Shtetëror të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë.

Përmbyllja e inspektimit u bë sot në ndërtesën e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Tiranë me nënshkrimin e tij nga Kryeshefi Ekzekutiv i IPK-së Hilmi Mehmeti dhe Drejtori i  SHÇBA-së, Arben Skëndo në prani të dy zëvendës ministrave të brendshëm Valdet Hoxha (MPB – Kosovë) dhe Stefan Çipa (MPB – Shqipëri).

Mehmeti dhe Skëndo  u zotuan se ky bashkëpunim i suksesshëm do të vazhdojë edhe në të ardhmen ndërmjet dy shërbimeve, si shenjë e vullnetit të mirë mes dy qeverive për forcimin e bashkëpunimit ndërshtetëror mes dy shteteve dhe më gjerë, në forcimin e bashkëpunimit rajonal, pasi vizioni dhe objektivi i dy vendeve është stabiliteti, rritja e mirëqënies dhe sigurisë në rajon./KosovaPress/