Dy grupe vëllezërish në Bllacë të Suharekës janë përfshirë në një përleshje të armatosur, me ç’rast një person ka mbetur i plagosur, bën të ditur Policia e Kosoës përmes një komunikate për media.
“Rreth orës 17:30 minuta, tek Lapidari i Dëshmorëve në fshatin Bllacë ka ndodhur një tentativë për vrasjen e një personi. Sipas hetuesve të cilët kanë kryer hetime në vendin e ngjarjes thuhet se tek Lapidari i Dëshmorëve janë takuar tre vëllezër në njërën anë dhe dy në tjetrën. Pasi janë fjalosur në mes vete, njëri nga të dyshuarit e ka thirr në telefon vëllanë e tij që ta sillte pushkën me të cilën është qëlluar viktima”, thotë PK, transmeton Koha.net.
Më tutje thuhet se, “i plagosuri është sjell në Urgjencën e Shtëpisë së Shëndetit në Suharekë e më pas në Spitalin Rajonal në Prizren”.
Në vendin e ngjarjes, Policia thotë se ka gjetur gëzhoja të fishekëve por jo edhe armën dhe të dyshuarin i cili ka ikur në drejtim të panjohur.
“Ndërkaq, me urdhër të prokurorit të shtetit, nën masën e arrestit po mbahen dy të dyshuar që ishin të përfshirë në rast”, thuhet në komunikatë.