Aktuale

Përkujtohet 18 vjetori i Betejës së Kabashit

Në Korishë të Prizrenit sot është shënuar përvjetori i 18-të Betejës së Kabashit.

Për nder të kësaj dite zyrtarë të komunës së Prizrenit, ish-pjesëtarë të UÇK-së dhe banorë të fshatit Korishë kanë bërë homazhe tek varrezat e dëshmorëve në Landovicë ndërsa një manifestim është mbajtur tek shkolla e këtij fshati.

Me këtë rast u tha se 17 marsi i vitit 1999 do të shënohet si njëra ndër ditët më të rëndësishme të kësaj ane për guximin dhe trimërinë që treguan luftëtarët e UÇK-së ku edhe disa prej tyre ranë dëshmorë.

Lulzim Kabashi, ish komandant i batalionit të II-të i UÇK-së në këtë zonë tha se nderi dhe përulja u takon atyre që kanë sakrifikuar për liri.

“Çdo përvjetor normalisht që zgjon emocione të cilat  tek ne çdo herë e më tepër po ndikojnë më shumë. Është megjithatë edhe një krenari që kemi qenë pjesë apo kemi qenë bashkëluftëtarë të këtyre dëshmorëve, të cilët e dhanë jetën për liri. Fatmirësisht sakrifica e tyre sublime po vazhdon të respektohet edhe më tepër, të rritet edhe më tepër respekti për gjakun e derdhur. Për atë gjak, i cili sot neve na mundëso këtë ditë  të lirë. Për këtë gjak i cili neve  sot na mundësoi që të zhvillohemi, të jetojmë  dhe të punojmë për të ardhmen e fëmijëve tonë. Lavdi gjithë dëshmorëve të UÇK-së kudo që janë, sepse pa sakrificën e tyre ne sot nuk do të ishim këtu ku jemi”, tha Kabashi.

Në këtë përkujtim mori pjesë edhe kryetari i komunës Ramadan Muja i cili tha se Kabashi është vendbanim i njohur për rezistencë ndaj serbëve gjatë gjithë periudhave të historisë.

 “Kabashi është vendbanim i njohur në trojet etnike shqiptare me nje popullatë vigjilente largpamëse e cila e çmon dhe e do lirinë,  prandaj në gjitha kohët ka dhënë njerëz të ditur, njerëz trima të cilët i kanë dalë zot këtij vendi . Prandaj, edhe në luftën e fundit dolën trima pikërisht nga ato familje,  të cilat janë edukuar në frymën e patriotizmit shqiptar për t’i dalë zot këtij vendi dhe unë jam shumë i bindur se gjithmonë do të jenë kujdestarë banorët  e Kabashit, trimat e Kabashit si gjithmonë edhe më herët edhe në të ardhmen për ta ruajtur lirinë dhe pavarësinë e trojeve etnike shqiptare. Ne kemi  obligim që t’i kujtojmë me pietet dhe gjithmonë do të jemi në krah me ta. Jeta dhe vepra e tyre na jep kurajo na jep forcë dhe ne, patjetër se do t’i kujtojmë me pietet”, tha Muja.

Një fjalë rasti ka mbajtur edhe një përfaqësuesi i fshatit Korishë, i cili tha se ky fshat gjithnjë ka dhënë dëshmorë për lirinë  e vendit.

 “Data 17 Marsi karakterizon një ngjarje mjaft historike për banoret e Korishës, veçanërisht për ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës . Karakterizohet një luftë historike e trimave të Kabashit në të cilën flijuan jetën pikërisht në këtë ditë për lirinë të cilën sot ne  po e gëzojmë. Korisha dhe Kabashi pikërisht shekulli i kaluar ka qenë mjaft i hidhur për qytetaret e Kabashit kur numërohen mbi 200 te vrarë dhe të masakruar,d.m.th si një shekull mjaft i hidhur për banorët tonë. Data 17 marsi është një ngjarje mjaft historike  është bërë një luftë ose betejë shumë e madhe prej mëngjesit deri në  orët e vona e mbrëmjes dhe aty kanë rënë heroikisht dëshmorët e Kabashit”, tha përfaqësuesi i fshatit.

Nga ky fshat kanë rënë dëshmorë edhe Halim Ahmetaj dhe Rexhep Kukaj të cilët janë shpallur heronj të Kosovës nga presidenti Hashim Thaçi.