Në 18-vjetorin e rënies janë përkujtuar sot dëshmorët dhe martirët e rënë në fshatrat Fortesë, Celinë dhe Brestoc të Komunës së Rahovecit, ku në tubimet përkujtimore ka marrë pjesë kryetari i Komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi dhe familjar të të rënëve.
Nga një fjalë rasti në tubimet e organizuara në fshatrat Fortesë dhe Celinë, kryetari Vehapi ka thënë se para 18-të viteve, kishin filluar masakrat e papara në fshatrat e Anadrinisë.
“Këto masakra vetëm i kishte paralajmëruar krimineli Millosheviç. Këtë tërbim ai e kishte, sepse ai e shihte kapitullimin e tij. Ne si popull kemi vuajtur shumë, mirëpo asnjëherë nuk jemi dorëzuar para armiqve edhe pse të kaluarën nuk kemi pasur shumë miq. Ju thërras edhe tani mos të dorëzohemi, të punojmë bashkë pa dallim”, tha Vehapi.
Gjatë ditës, janë bërë homazhe dhe janë vendosur lule pranë varreve të të rënëve./KosovaPress/