Rajon & Botë

Përhapja e koronavirusit: Mbi 114 mijë e 300 të infektuar dhe 4.026 të vdekur në botë

Përhapja e koronavirusit: Mbi 114.300 të infektuar dhe 4.026 të vdekur në botë
Me përhapjen e koronavirusit nëpër botë, “Reutersi” ka bërë një përmbledhje të zhvillimeve të lidhura me të:

Presidenti i Kinës, Xi Jinping e ka vizituar Wuhanin, epiqendër e epidemisë së koronavirusit. Këtë vizitë ai e ka ndërmarrë të marten dhe është hera e parë që e bën një gjë të tillë, që kur nisi epidemia. Është ky sinjal se Pekini beson që përpjekjet e veta për kontrollimin e epidemisë ndodhen në pikë kthese, me rënien e rasteve të reja.

Janë paraqitur mbi 114.300 raste të koronavirusit dhe 4.026 vdekje nga ky virus në 112 shtete dhe rajone deri të marten, sipas shifrave të Reutersit. Gati 4.300 raste dhe 199 vdekje janë raportuar vetëm ditën e kaluar.

Tani janë shtatë shtete jashtë Kinës që kanë raportuar mbi një mijë raste dhe tri shtete në të cilat numri i të infektuarve ka arritur mbi 7.000. Fjala është për Italinë, Korenë e Jugut dhe Iranin. Në Itali, numri i përgjithshëm i të vdekurve lidhur me virusin është 463, që përbën 52 për qind të rasteve jashtë Kinës.

Raste të reja të koronavirusit janë raportuar në Burkina Faso, Brunei dhe Mongoli. Kili ndërkaq e ka raportuar rastin e parë të vdekjes.

Me Italinë në karantinë, mbetet të shihet se si shteti do të mund t’i bëjë ballë përhapjes së këtij virusi. Mbi 9.000 veta janë infektuar në Itali brenda më pak se dy javëve.

Nxënësit e një shkolle fillore në Tajvan e kanë përdorur kreativitetin e tyre në përballjen me koronavirusin, duke e ndërtuar një robot që shpërndan dezinfektues. Roboti është i pajisur me një sensor që i detekton duart dhe madje edhe ka një porosi të xhiruar për larjen e duarve.