Aktuale

Përgjigja e KEK-ut se a do t’iu rritet paga punëtorëve për 100 euro

Një premtim gjatë fushatës elektorale që kishin bërë, Ramush Haradinaj dhe Kadri Veseli, ka nxjerrë sot në protestë punëtorët e KEK-ut. Ata po kërkojnë që kryeministri ta mbajë fjalën dhe t’ua rrisë pagën për 100 euro ashtu siç u kishte premtuar shtatë muaj më parë, shkruan Insajderi.

Lidhur me këtë çështje Insajderi ka kontaktuar sot Avni Arifin këshilltarin e kryeministrit, ai ka thënë se ky premtim i Haradinajt është bërë në koordinim me KEK-un dhe se tash i takon KEK-ut që të t’ua plotësojë kërkesën punëtorëve.

“Është premtim edhe i KEK-ut sepse kryeministri këtë e ka bërë në koordinim me KEK-un. Punëtorët nuk duhet të protestojnë, KEK duhet të kryej obligimet e marra”, ka thënë Arifi.

Zyrtari për Informim nga KEK-u, Skënder Bucolli i kontaktuar për këtë çështje ka deklaruar se kryesuesi i Bordit të KEK-ut ka bërë të ditur se do të ketë rritje, por që duhet të shikohen shpenzimet, pasi që sipas tij një rritje e tillë ka kosto dhe ndikon në gjendjen financiare.

“Ashtu siç ka deklaruar Kryesuesi i Bordit të KEK-ut, kjo rritje ka kosto dhe ndikon në gjendjen financiare të KEK-ut. Megjithatë, Kryesuesi tashmë ka bërë të ditur se rritje do të ketë. Mirëpo, për ta realizuar këtë, ka kërkuar racionalizim të shpenzimeve operative, gjithnjë pa cenuar mirëmbajtjen dhe investimet kapitale”.

“Në këtë vijë, është kërkuar nga menaxhmenti rishikimi planit aktual buxhetor dhe identifikimi i mundësive konkrete të racionalizimit. Për më tepër, Bordi është në pritje të Raportit Vjetor të performancës dhe raportit të auditimit të pavarur financiar për pasqyrat financiare në fundvit (2017) për një pasqyrë më të qartë financiare”, thuhet në përgjigjen me shkrim.

Haradinaj dhe Veseli gjatë fushatës elektorale kishin vizituar punëtorët e KEK-ut ku i kishin premtuar rritjen e pagës për 100 euro ndaj secilit punëtorë./Insajderi.com