Aktuale

Përfundon tryeza për demarkacionin pas 12 orësh

Tryeza e thirrur nga kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, për marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi, ka përfunduar pas 12 orësh.

I pari që i hapi punimet e kësaj tryeze ishte presidenti i vendit, Hashim Thaçi.

Përderisa pozita dhe anëtarët e Komisionit Shtetëror të Demarkacionit kanë ofruar argumentet e tyre pro marrëveshjes, opozita ka ofruar kundërargumente sipas të cilave, Kosova humb 8 mijë hektarë tokë nga kjo marrëveshje ndërkombëtare.

Pas debateve shteruese, kreu i Kuvendit, Kadri Veseli njoftoi se kjo tryezë ka përfunduar dhe potencoi se ata dëshmuan “se mund të diskutojmë me njëri-tjetrin” për çështjen e demarkacionit.

Përderisa Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar një mbledhje për nesër në ora 09:00, ku pritet të diskutohet nëse marrëveshja e demarkacionit do t’i dërgohet Kuvendit për ratifikim, partia më e madhe opozitare, Lëvizja Vetëvendosje ka thirrur qytetarët që nesër në ora 10:00 të dalin para Kuvendit për të protestuar.

Nënkryetari i kësaj partie, Dardan Sejdiu ka thënë se nëse Qeveria nuk tërhiqet nga marrëveshja, situata mund të tensionohet./GazetaExpress/