Para pak çastesh ka përfunduar takimi mes grupit të ekspertëve të LDK-së dhe atyre të Vetëvendosjes, për ta harmonizuar programin e përbashkët para vendimit për të lidhur koalicionin qeverisës për mandatin e ardhshëm.
Takimi i grupeve të dy partive ka ardhur pas takimit të liderëve të LDK-së e VV-së, Isa Mustafa e Albin Kurti.
“Në vazhdimësi të takimit të dy liderëve të LDK-së dhe LVV-së, sot në Selinë e LDK-së është mbajtur takimi i grupeve punuese lidhur me marrëveshjen e koalicionit qeverisës. Dy grupet punuese u dakorduan lidhur me përmbajtjen dhe parimet e marrëveshjes për bashkëqeverisje. Në takim u shqyrtuan temat kryesore politike dhe reformat kyçe sektoriale të cilat e presin Qeverinë e re”, thuhet në deklaratën e përbashkët të dy partive.
Po ashtu, në këtë takim palët u dakorduan për intensifikimin e takimeve dhe që takimi i radhës të mbahet të mërkurën nga ora 15:00 për të konkretizuar diskutimet e sotme. /FaktePlus