Kuriozitete

Përfitimet e skanimeve me CT i tejkalojnë rreziqet prej tyre

Për disa vite mjekët kanë qenë të shqetësuar për efektet anësore të skanimeve me CT, të cilat përdorin një dozë më të lartë të rrezatimit se aparati i zakonshëm i rrezeve X.

Përfitimi është se CT jep rezultate shumë më të sakta të asaj që po ndodh në trup ashtu që mjekët mund të diagnostikojnë kushtet mjekësore shumë më saktë.

Në Mbretërinë e Bashkuar bëhen rreth tre milionë skanime CT për çdo vit dhe norma për person është rreth pesë herë më e lartë se në SHBA, ku mjekët janë pak më të kujdesshëm, shkruan Mirror.

Problemi është se doza kumulative e rrezatimit nga skanimet e përsëritura me CT jo vetëm që shkakton dëmtimin e indeve, por mund të rrisë rrezikun e kancerit.

Rreziku akumulohet me çdo ekspozim të përsëritur, ndërsa fëmijët janë shumë më të ndjeshëm se të rriturit.

Për të përcaktuar sasinë e këtij rreziku, autorët e një studimi të madh në Mbretërinë e Bashkuar gjetën se fëmijët e ekspozuar ndaj dozave të larta të rrezatimit nga CT kishin një rritje të trefishtë në rrezikun e zhvillimit të leukimisë dhe tumoreve në tru se fëmijët të cilët kanë marrë doza të ulëta.

Sa më e lartë sasia e rrezatimit që morën fëmijët, më të mëdha ishin shanset për zhvillimin e këtyre kancereve.

Numri i fëmijëve të diagnostikuar me kancer në një periudhë 17 vjeçare ishte rreth 200 nga 180.000 që janë skanuar.

Sipas studiuesve, rreth 170 prej këtyre 200 fëmijëve e kanë zhvilluar kancerin e tyre si pasojë e ekspozimit më të madh ndaj rrezatimit me CT. Pra, rreziku i përgjithshëm është vlerësuar si 170 në 180.000, ose rreth një në 1.000 fëmijë.

Për të rriturit – dhe duke marrë parasysh bazën e të dhënave amerikane, pesë herë më e madhe se Britanisë së Madhe, si dhe nivelin e shfrytëzimit të CT në Mbretërisë së Bashkuar – rreth katër në 1.000 raste të kancerit në Mbretërinë e Bashkuar duhet të jenë shkaktuar nga rrezatimi me CT.

Mund të kuptohet nëse e shihni këtë rrezik si të pranueshëm. Por kjo do të thotë rreth 1.400 prej 350.000 rasteve të reja të kancerit çdo vit në Britani të Madhe mund të rezultojnë nga CT, të cilat po përdoren gjithnjë e më shumë.

Shumica e ekspertëve, megjithatë, besojnë se rreziqet e CT tejkalohen në masë të madhe nga përfitimet e tyre.

Në një rast pacienti ka pasur dy skanime CT dhe të dyja zbuluan gjetje të vogla, por të rëndësishme, të cilat skanimet me rezonancë magnetike (MRI) dështuan që t’i vërejnë.

Si një masë paraprake duhet sugjeruar që nëse për ju ose një nga fëmijët tuaj është kërkuar një skanim me CT, ju duhet të pyesni doktorin tuaj për të shpjeguar se pse është e nevojshme – dhe nëse një MRI, që nuk përdorë rreze X, mund të përdoret në vend të CT./Express/