Aktuale

Për vrasjen e mbrëmshme në Lipjan

Një qytetar mbeti i vrarë mbrëmë në komunën e Lipjanit. Këtë vrasje pas raportimit nga FaktePlus më vonë e konfirmuan edhe zyrtarët policorë dhe ata nga prokuroria, të cilët edhe kanë dhënë tetaje për rastin.

Ishte kapiteni i policisë, Driton Imeri që është deklaruar lidhur me rastin e vrasjes së 36 vjeçarit në një kazino në komunën e Lipjanit.

Imeri ka bërë të ditur se me të marrë informatën njësitë policore kanë arritur në vendin e ngjarjes, por që iu është dashur intervenimi me forcë për të hapur derën në mënyrë që të gjendet trupi i viktimës.

“Brenda në lokal e kanë gjetur afër shankut një person të shtrirë në tokë, pa shenja jete në atë moment e konfirmuar më tej edhe nga mjeku kujdestar në Qendrën spitalore në Lipjan. Menjëherë janë thirr të gjitha njësitë që merren me hetime e këtyre krime”, ka deklaruar Imeri.

Kurse prokurori kujdestar, Armend Hamiti ka deklaruar se është një person i dyshuar por që nuk është arritur të identifikohet ende.

Ai tha se autoritetet do të bëjnë të pamundurën për ta kapur atë person.

Sipas prokurorit, gjithë rasti i mbrëmshëm dyshihet se ka të bëjë me grabitje.

“Jemi shpërndarë të gjitha njësitë në teren që të identifikohet personi që kërkohet të bëhet identifikimi i tij dhe për momentin kjo mund të ndahet me opinionin nëse ka nevojë për ndihmë të qytetarëve për identifikim përsëri do të jemi së bashku. Për momentin nga njoftimi parë është grabitje me pasojë vdekje. Është personi i dyshuar, por ende nuk është identifikuar”, ka thënë ai.

Për këtë vrasje foli edhe kryetari i komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, i cili edhe konfirmoi se viktima nuk ëhstë nga komuna e Lipjanit.

Më vonë u konfirmua se viktima është nga fshati Rrezallë i Skenderajt.

Vrasja e tij është kryer në një kazino gjatë një grabitjeje, ndërsa personi i vrarë ka qenë punëtor i kazinos.

Kujtojmë se edhe javën e kaluar një punonjës i një kazino në Suharekë humbi jetën. I dyshuar për këtë rast është një polic i cili tashmë është i arrestuar dhe po mbahet në paraburgim./FaktePlus

the authorBurbuqe Metolli