Aktuale

Për Trepën nuk diskutohet në Bruksel

Ministrja për Dialog Edita Tahiri ka refuzuar që çështje e Trepçës të futet si temë e bisedimeve në Bruksel ku pala e Kosovës dhe ajo e Serbisë janë takuar në raundin e ri të bisedimeve.

“Pala serbe tentoi ta ngrisë në këtë takim edhe çështjen e Ligjit për Trepçën të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Ministrja Tahiri refuzoi kategorikisht tendencën e palës serbe për të biseduar për këtë temë, sepse Trepça është aset dhe pronë e Kosovës dhe si e tillë nuk e bisedojmë me askënd”, thuhet në një komunikatë për media ku citohet ministrja Tahiri.

Sipas saj kjo nuk është biseduar dhe nuk do të bisedohet asnjëherë në dialog.

“Tahiri siguroi se Kosova nuk do të pranojë hapjen dhe diskutimin e temave të brendshme shtetërore për të cilat vendosë vetëm Kosova. Sipas saj një palë nuk mund të imponojë hapjen e temave në dialog sepse për një gjë të tillë kërkohet pajtimi i të dy palëve pasi që po ashtu ky është edhe parimi themelor i dialogut të Brukselit i cili bazohet në respektimin e juridiksioneve të dyja shteteve”, thuhet në komunikatën dërguar nga zyra për komunikim publik i Zyrës së kryeministrit të Kosovës.

Tahiri i rikujtoi palës serbe së janë të kota tendencat e tyre për diplomaci në Bruksel rreth çështjes së Trepçës, pasi që njëzet e tre nga vendet anëtare të BE-së e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe së tashmë Kosova ka hyrë në marrëveshje kontraktuale me BE-në duke nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.

Takimi mes palës së Kosovës dhe asaj të Serbisë dhe me ndërmjetësim të BE-së është mbajtur sot në Bruksel për ta vlerësuar gjendjen në zbatimin e marrëveshjeve të dialogut të Brukselit, me theks të veçantë për bllokadën që Serbia ia krijoi marrëveshjes për kodin telefonik.

Me këtë rast ministrja Tahiri tha se dialogu i Brukselit ka dhënë rezultate të prekshme në këto vite të rrjedhës së vet, mirëpo kjo periudhë shquhet me tensione sidomos për faktin që Serbia bllokoi zbatimin e marrëveshjes për kodin telefonik, si dhe arrestimin arbitrarë të zyrtarit të lartë të Policisë së Kosovës, Nehat Thaçi, që po vazhdon të mbahet në arrest.

Me ketë rast, ministrja Tahiri kërkoi që BE-ja të vazhdoj angazhimet për zhbllokimin e zbatimit të marrëveshjes për kodin telefonik dhe pavarësimin e KOSTT-it, sepse janë marrëveshje që po diskutohen tani e pesë vjet dhe nuk është arritur rezultati i përcaktuar me marrëveshjet.

Tahiri po ashtu e përsëriti kërkesën e lirimit të Nehat Thaçit, duke thënë që Serbia nuk mund dhe nuk ka juridiksion mbi qytetarët e Kosovës dhe se kjo sjellje e Serbisë po e dëmton edhe vet procesin e dialogut të Brukselit.