Aktuale

Për shkak të Turqisë nuk miratohen as konkluzionet për Kosovën dhe vendet e tjera ballkanike

Procesi i zgjerimit të BE-së, në vend të rikonfirmimit se do të vazhdojë, me gjithë shqetësimet që kanë vendet anëtare, ka marrë edhe një goditje të rëndë të martën në Bruksel, pasi vendet anëtare për herë të parë në histori nuk kanë arritur konsensusin e nevojshëm për të miratuar konkluzionet, shkruan sot Koha Ditore.

Për këtë paketë, për të cilën tashmë tradicionalisht Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme i BE-së, në nivel ministrash, diskuton dhe miraton konkluzionet një herë në vit, madje në muajin dhjetor, kësaj radhe nuk pati pajtim, për shkak se “një shtet anëtar” ka bllokuar miratimin e konkluzioneve.

Në vend të kësaj është publikuar vetëm një deklaratë e Presidencës sllovake të BE-së e shoqëruar me tekstin e draftit të konkluzioneve të pamiratuara, me vërejtjen se ato gjatë diskutimeve “kanë marrë mbështetjen e shumicës së vendeve anëtare”.

Diplomatët jozyrtarisht kanë konfirmuar se miratimin e konkluzioneve e ka bllokuar Austria, duke kërkuar që në to të futej edhe ngrirja e negociatave të anëtarësimit me Turqinë.