Të gjitha institucionet duhet të përmbushin obligimet e tyre në mënyrë që vie në shprehje parandalimi dhe ngritja e vetëdijes së qytetarëve sa i përket problematikës së përdorimit të narkotikëve.
Kështu vlerësoi zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Nehat Mustafa, gjatë takimit të grupi punues për implementimin e Strategjisë për Narkotikë të organizuar nga Sekretariati i Strategjive të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Në një njoftim për media, bëhet e ditur se në këtë takim u diskutua lidhur me raportet e tremujorit të parë të këtij vitit, të të gjitha institucioneve, të cilat janë të përfshira në përmbushjen e objektiveve e përgjithshme të Strategjisë kundër Narkotikëve.
Mustafa tha se gjatë kësaj periudhe janë mbajtur takime të rëndësishme si jashtë vendit dhe brenda me qëllim të bashkimit të sa më shumë akterëve për një luftë sa më efikase të ndaj parandalimit të trafikimit të narkotikëve.
“Si objektiva të rëndësishme të aktiviteteve për periudhën e ardhshme mbetën: organizimi i një konference ndërkombëtare kundër narkotikëve; hartimi i një projekti të përbashkët për parandalimin e përdorimit të narkotikëve; intensifikimi i bashkëpunimit me organizatat e ndryshme ndërkombëtare, si EMCDDA etj dhe zgjerimi i qendrave që ofrojnë shërbime trajnimi për viktimat e përdorimit të narkotikëve”, thuhet në njoftim./KosovaPress/