Zyrtarë të administratës amerikane kanë thënë se Pentagoni do të dërgojë 4,000 trupa ushtarakë shtesë në Afganistan, duke shpresuar në përfundimin e bllokadës në luftën 16 vjeçare.
Sipas Associated Press, zyrtarë të paindentifikuar kanë thënë se ky vendim mund të bëhet publik gjatë javës së ardhshme.
Pjesa më e madhe e forcave shtesë do të trajnojnë dhe këshillojnë trupat afgane, ka thënë një zyrtar, ndërsa një numër më i vogël do të caktohet në operacionet kundër terrorizmit ndaj grupit taliban dhe të atij të Shtetit Islamik.
Zëdhënësi i Pentagonit ka deklaruar se: “Asnjë vendim nuk është marrë”.
Mattis u ka thënë ligjvënësve të SHBA-ve më 15 qershor, se Presidenti Donald Trump i ka dhënë atij autoritetin për të vendosur rritjen e trupave ushtarake në Afganistan.
Mediat në Shtetet e Bashkuara kanë raportuar se Mattis do të rekomandojë dërgimin e një numri prej 3,000-5,000 trupave amerikane.
Shtetet e Bashkuara aktualisht kanë rreth 8,400 trupa në Afganistan.