Aktuale

Pensionistët marrin premtimin për 30 % rritje të pensioneve

Koalicioni PDK-AAK-Nisma ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me pensionistët, ku u tha se pensionet do të rriten deri në 30 përqind deri në fund të mandatit të qeverisjes së tyre.

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli premtoi se do të jenë përkrah punëtorëve shëndetësor, arsimit, administratës publike, policisë, FKS-së, fermerët dhe kategorive tjera dhe bashkërisht do ta ndërtojnë Fillimin e Ri në të mirë dhe interes të atdheut tonë.

“Zotimet të cilat do të ndodhin në afat me të shkurt të mundshëm ka të bëjë drejtpërdrejt me përmirësimin e situatës sociale, në të njëjtën kohë me përmirësimin e kushteve për pensionistët tanë, të gjitha ata që kanë nevojë për rehabilitimin dhe do të përfshihen të gjitha kategoritë e pensionistëve, edhe ata që janë kontributdhënës edhe ata që nuk janë kontributdhënës. Ajo çfarë ne e marrim si zotim e cila nuk është e nënshkruar në këtë marrëveshje, është pranimi i stazhit të viteve 90-ta për gjithë pensionistët dhe ata që nuk kanë dal në pension. Brenda tre muajve do të aprovohet ligji që i pranon stazhin e viteve 90-ta dhe i falënderoj gjithë ata që nuk e kanë pranuar Serbinë dhe na kanë dhënë neve mundësinë t’i themi jo më Serbisë dhe ta largojmë përfundimisht në vitin 1999…do të ketë rritje për të gjitha kategoritë e pensionistëve, kontributdhënës dhe jokontributdhënës 25 përqi nd. Minimalja e pensionit kontributdhënës do të jetë 200 euro por unë besoj që deri në fund të mandatit do të jetë 30 përqind”, tha Veseli.

Kryetari i AAK-së dhe kandidati për kryeministër, Ramush Haradinaj ka thënë se po i marrin obligimet që iu takojnë nesër si Qeveri.

“Për të arritur të pensioni kanë bërë një rrugë të gjatë të jetës dhe u jemi mirënjohës gjithë jetën. E tha kryetari Veseli me të drejt se kjo është një dëshmi se po i marrim obligimet që na takojnë si përfaqësues të publikut, si qeveri nesër. Këto obligime i kisha radhitur, po fillojmë me rritjen e pensioneve, është rehabilitimi, programe rehabilituese, është transporti publik në vendin tonë falas në gjithë vendin dhe barna shtesë”, theksoi Haradinaj.

Kryetari i Lidhsjes së Pensionistëve, Shaban Kajtazi tha se memorandumin e nënshkruan me plotë besim në koalicionin e madh PDK-AAK-Nisma.

“Ky lidership diti ta çliroj vendin dhe diti ta shpallë pavarësinë. Mosha e tretë ka besim në këtë lidership, në këtë koalicion që njëherë e përgjithmonë do t’ia kthej dinjitetin pensionistëve. Dinjiteti i pensionistëve do të kthehet me reforma rrënjësore, me kthimin e fondit pensional, me njohjen e stazhit, me kthimin e parimit të solidaritetit që të rinjtë të punojnë dhe të ndihmojnë të vjetrit. Me kthimin e sistemit intergjenerativ dhe me pranimin dhe sigurimin e subvencioneve në shëndetësi, në komunikacionin urban dhe nder urban dhe sigurimin e shtëpive për nevoja të pleqve”, u shpreh Kajtazi.

Ai shtoi se vota është individuale, por besimi i plotë është në këtë koalicion./kp