Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë sot se në kuadër të angazhimeve që po bëhen, degët dhe kryesia qendrore po përkujdesen që ta përfundojnë procesin e përzgjedhjes së kandidatëve më të mirë për kryetarë dhe asamblistë komunalë për zgjedhjet komunale.
Ai këto komente i bëri në mbledhjen e rregullt të kryesisë së PDK-së, në kuadër të aktiviteteve mobilizuese për zgjedhjet lokale, të cilat do të mbahen më 22 tetor.
Veseli ka thënë se do të fuqizohen strukturat ekzistuese me resurse dhe kuadro të reja, të cilat do ta bëjnë diferencën edhe në këtë cikël zgjedhor.
Këto takime mobilizuese dhe motivuese, sipas kreut të PDK-së, po shërbejnë edhe si një reflektim i arsyeshëm i të gjithë anëtarëve pa dallim, me qëllim të arritjes së fitoreve bindëse në shumicën e komunave e Kosovës.
Veseli ka kërkuar nga anëtarët e kryesisë që të angazhohen çdo ditë në terren me të gjithë anëtarët e strukturës, përkrahësit dhe votuesit e PDK-së, thuhet në komunikatë.





















