Gruaja e Partisë Demokratike të Kosovës nga sot do të jetë e përfaqësuar me 40 përqind në të gjitha organet vendimmarrëse të partisë. Ky është vendimi i kryesisë së këtij subjekti, i cili po ashtu ka vendosur që Uran Ismaili të jetë nënkryetar i PDK-së për çështje organizative dhe të rinisë.
Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli në një konferencë për media i ka ndarë me publikun dy lajme siç i ka quajtur ai të mira për vendin. PDK sipas tij, në zgjedhjet e ardhshme do të përfaqësohet me më shumë gra në zgjedhjet lokale.
“Jam i gëzuar që të kumtoj edhe lajmin i cili është edhe vendim i kryesisë së PDK-së. Që e ka përkrahur fuqimisht propozimin tim si kryetar i partisë ku edhe pjesa më e madhe e kryesisë së partisë është sot këtu, për të ndarë së bashku me ju lajmin që në të gjitha organet vendimmarrëse të PDK-së do të kemi 40 përqind pjesëmarrje të gruas, kjo është kuota e cila do të jetë minimale. Ne do t’i inkurajomë gratë që të kenë vendimmarrje edhe më shumë…Unë besoj jo po jam shumë i sigurt se do të ketë shumë kandidate gra gjatë zgjedhjeve lokale të cilat i mbajmë në vitin 2017 ”, tha Veseli.
Ai ka thënë se gratë e PDK-së do të kenë përkrahje të fuqishme nga kryesia. Në të njëjtën kohë ai e ka falënderuar kryesinë për përkrahjen e vendimit të tij që Uran Ismajlin, të jetë nënkryetar i PDK-së për çështje organizative dhe çështje të rinisë.
“Përfshirja e tij në PDK, qysh pas mbarimit të studimeve të tij në vitin 2007, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka qenë një lajmë i mirë për PDK-në . Në të njëjtën kohë është një lajm i mirë për të gjithë kuadrat të cilët shkollohen në Kosovë dhe jashtë Kosovë që t’i bashkëngjiten vendimmarrjes politike…PDK ka dëshmuar se është një parti e hapur të cilën kemi nevojë shumë për inkuadrimin e njerëzve që kanë vizion”, tha Veseli.
I pyetur për ri-formatimin e Qeverisë, Veseli tha se janë duke punuar për interes të qytetarëve dhe çdo gjë që është në interes për t’ua bërë jetën më të mirë atyre, do ta bëjnë./kp