Partia Demokratike e Kosovës ende nuk i ka caktuar emrat e ministrave të rinj të kabinetit qeveritar që pritet ta drejtojë Ramush Haradinaj, i cili dje është mandatuar për kryeministër nga presidenti Hashim Thaçi. Kështu të paktën ka thënë zëvendëskryetari i kësaj partie Enver Hoxhaj pas një mbledhje që Kryesia e PDK-së ka mbajtur në selinë e partisë.
Sipas tij sot në Kryesi nuk ka pasur asnjë debat për asnjë emër, por kanë diskutuar për profilin e tyre dhe prioritetet e ardhshme të tyre.
Megjithatë, numri dy i PDK-së tha se gjatë ditës së sotme do të dihen emrat e ministrave të rinj nga kjo parti, pasi që ata do t’i propozojë kryetari Kadri Veseli.
“Çka mund t’iu them është kjo, ne gjatë ditës së sotme i kryejmë emrat për postet qeveritare. Presim nga kryetari Veseli që të dal me propozime, varet shumë prej Veselit, ne e mbështesim, nëse ka ndonjë emër që dikujt në Kryesi nuk i duket emër me shumë mbështetje qytetare mund të ketë debat të tillë, por është në dorën e tij dhe të Kryesisë që të dalim me listë të ministrave. Dhe është e vërtetë ajo çfarë ka thënë Haradinaj që ne deri me tash nuk kemi ofruar ndonjë listë të plotë”, tha Hoxhaj.
Tema qendrore e diskutimit në mbledhje të partisë, Hoxhaj theksoi se ka qenë se çfarë Qeverie do të kenë, e jo për individët.
“Temë qendrore ka qenë përbërja e Qeverisë së ardhshme dhe është debatuar jo për emrat e ministrave se si pritni ju, apo si kanë mundur të presin disa kolegë në kryesi të partisë, por kemi debatuar se çfarë duhet të bëjë qeveria e ardhshme Kosovës. Në politikë është shumë me rëndësi të dihet se për çka qëndron një parti politike, për çka qëndron një qeveri dhe cilat janë pritjet e kësaj qeverie. Prandaj kemi folur për atë se si qeveria e ardhshme të ketë një program me disa prioritete të qarta, të ketë disa qëllime strategjike. Vendi është në një fazë kyçe të përmbylljes së shtetndërtimit dhe temat të i ka përmendur dje kryetari i Kuvendit dhe PDK-së Veseli në fjalën e tij pas zgjedhjes së tij si kryetar janë pikërisht tema të shtetndërtimit”, theksoi Hoxhaj.
Zëvendëskryetari i PDK-së, shtoi se si parti janë të interesuar që të kenë një qeveri reformatore, pasi janë mbrapa në kohë, e cila është lehtë e vërejtshme, mungesa e liberalizimit të vizave dhe mbetja në izolim e qytetarëve të Kosovës.
“Ne jemi të interesuar që të kemi një qeveri reformatore dhe korniza jonë e reformave do të jetë zbatimi i programit tonë kombëtarë të marrëveshjes së MSA-së. Aty e keni një pako të gjerë të reformave të cilat duhet t’i ndërmarr vendi. Por natyrisht Haradinaj si mandatar nga nesër do të dëgjojmë nga Haradinaj se cilat do të jenë prioritetet kyçe të Qeverisë së Kosovës”, u shpreh ai.
Ish ministri i Punëve të Jashtme tha se nuk ka menduar nëse do të jetë në Qeveri, por ka lënë të kuptohet se ai do të mbes vetëm deputet, meqë pasioni dhe ambicia e tij janë që të merret me diplomaci, e që këtë herë kryediplomat do të jetë kreu i AKR-së Behgjet Pacolli, të cilit me gjysmë zemre i ka uruar sukses.
“Unë nuk kam menduar deri tash, ju e dini që ambicia ime dhe pasioni im është politika e jashtme. I dëshiroj Pacollit sukses në këtë funksion dhe dua t’iu them diçka sinqerisht, unë nuk marrë përgjegjësi në institucione sa për ta ndrequr CV-në time, për të thënë se kam qenë në Qeveri. Unë qëndroj në Qeveri për tema të caktuara, nëse ka tema objektiva prioritete të matshme, jam i gatshëm të jap kontributin, por janë tema që nuk varen veç prej anës sime. Por asnjë nuk kam hyrë në qeveri për përmirësim të CV-së, asnjëherë nuk e kam pasur dilemën sa larg do të shkoj, por çdo herë e kam pasur dilemën sa punë mund të kryej, e kësaj vere e kam pasur njëfarë roli në funksion për t’i shtyrë kapak punët në Kuvend të Kosovës, ju lus juve për mirëkuptim, qytetarëve, sepse derisa i bëmë votat mori pakëz kohë. Kështu që jam për të kryer punë, jo me shty punë”, u shpreh Hoxhaj.
Mediat sot kanë përfolur disa nga emrat nga PDK-ja që mund të jenë ministra.
Si emër i mundshëm për ta udhëhequr Ministrinë e Financave është përmendur Besim Beqaj, Abelard Tahiri për ministër të Drejtësisë, Uran Ismaili për ministër të Integrimeve, Bekim Haxhiu, Mehmet Maxhuni, Mimoza Ahmetaj dhe Rrustem Musa për ministër të Shëndetësisë. Por zyrtarisht asnjë këta emra nuk janë konfirmuar nga zyrtarët e PDK-së./KP