Partia Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur se sot rreth orës 12:30 kanë denoncuar fenomenin rreth organizimit të trenit bullgar, e që sipas tyre këtë e kanë bërë humbësit e këtyre zgjedhjeve.
Abelard Tahiri nga PDK, tha se humbësit e këtyre zgjedhjeve të pa shpresë përmes trenit bullgar po tentojnë të përmbysin rezultatin.
“Deri më tash nga raportimet e degëve tona kemi pasur një mbarëvajtje kryesisht të mirë të procesit zgjedhor. Ato pak parregullsi që kanë qenë do të adresohen dhe disa prej tyre tashmë janë adresuar nga degët tona tek institucionet përgjegjëse. Shqetësuese e kemi rastin në Mitrovicë, ku sot rreth orës 12 e 30 Partia Demokratike e Kosovës dega në Mitrovicë veç se ka denoncuar fenomenin, tendencën, rreth organizimit të ashtuquajturit treni bullgar. Pra, humbësit e këtyre zgjedhjeve të pa shpresë dhe në pa mundësi të arrijnë të marrin besimin e qytetarëve po tentojnë që përmes këtij fenomeni famëkeq të ashtuquajtur si treni bullgar ta përmbysin rezultatin. Janë të evidentuar se mungojnë 7 fletëvotime në këto klasë gjatë këtij procesi zgjedhor dhe jemi të bindur që organet përgjegjëse janë duke u marrë me këtë proces”, tha ai.
Tahiri bëri apel që të gjithë ata që nuk e kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre për të votuar ta bëjnë, në mënyrë që të zgjedhin prijësit e komunave të tyre./kp