Aktuale

PDK: Propaganduesit e VV-së me komunikata fantome po deformojnë të vërtetën

Dega e PDK-së në Prishtinë përmes një komunikate për media reagimin e mësuesve të shkollës fillore “Dardania” në Prishtinë e quan një përpjekje e lodhur e propaganduesve të Vetëvendosjes për t’i mjegulluar dëshmitë e skandaleve të qeverisjes së Shpend Ahmetit në Prishtinë dhe pohon se lista me punësimet e militantëve të Lëvizjes Vetëvendosjes nëpër shkollat e Prishtinës është e saktë.

“Ky i ashtuquajtur “reagim” vërehej qartë se ishte përgatitur nga ata që s’po dinë më as sesi të sillen politikisht, sepse kanë menduar se allishverishet e tyre politike nuk do i marrin vesh asnjëherë qytetarët e Prishtinës dhe kurrsesi nga punonjësit arsimorë të Shkollës Fillore “Dardania”. Si “reagim”, ai nuk përmbante as logo zyrtare dhe ishte pa emër e mbiemër, si dhe pa nënshkrime të atyre në emër të të cilëve flitej, prandaj si i tillë nuk ishte asgjë më shumë se një përpjekje e lodhur e propaganduesve të Vetëvendosjes për t’i mjegulluar dëshmitë e skandaleve të qeverisjes së Shpend Ahmetit në Prishtinë”, thuhet në komunikatë.

Për hir të transparencës, Dega e PDK-së në Prishtinë, rikonfirmon se qëndron pas të gjitha atyre që i kanë thënë për punësimet partiake të Vetëvendosjes në shkollat e Prishtinës dhe se po ashtu qëndrojnë pas atyre që kanë thënë për punësimet nga komunat e tjera në Shkollën Fillore “Dardania” në Prishtinë.

“Ne rikonfirmojmë se lista jonë është e saktë dhe të apostrofuarit punojnë në këtë shkollë. Për të gjitha këto i ftojmë përfaqësuesit e partisë Vetëvendosje të ballafaqohemi edhe në debate publike, mirëpo të strukur në atë selinë e tyre që e kanë shndërruar në “depo ushtarake”, duke mos pasur asnjë kundër-argument, nuk ju ka mbetur tjetër pos të plasojnë komunikata të tilla fantome si përpjekje për ta deformuar të vërtetën që tashmë e kanë të qartë tërë qytetarët e Prishtinës”, thuhet në komunikatën e Degës së PDK-së në Prishtinë.

Për më tepër, Dega e PDK-së në kryeqytet konsideron se kjo nuk ishte asgjë më shumë se një përpjekje e modifikuar e tyre për të prodhuar lajme të rrejshme, të cilat Vetëvendosje i ka specialitet.

Dega e PDK-së në Prishtinë, në bashkëpunim me qytetarët e Prishtinës, mbetet e angazhuar dhe e përkushtuar në denoncimin publik të të gjitha veprimeve të kundërligjshme dhe aferave klienteliste e korruptive në Komunën e Prishtinës.