PDK ka dënuar sjelljet vandale të aktivistëve të VV’së pranë shtëpisë së kreut të saj Kadri Veseli në Mitrovicë.
Në reagimin e PDK’së thuhet se kjo parti dënon përpjekjet për tu kërcënuar familja e kryetarit të saj dhe sipas tyre dhunimi i pronës private.
“Familja dhe prona në traditën tonë gjithmonë janë konsideruar të shenjta dhe asnjëherë nuk janë cenuar nga politika”, thuhet në reagimin e tyre.
Ky është reagimi i plotë i PDK’së:
Partia Demokratike e Kosovës dënon ashpër sjelljet vandaliste të Lëvizjes Vetëvendosje e cila përmes aktivistëve të saj ka bërë përpjekje që të kërcënojë familjen dhe të dhunojë pronën private të familjes së liderit të PDK-së, Kadri Veseli, në Mitrovicë.
Partia Demokratike e Kosovës, mirëpret çdo lloj shprehje të pakënaqësisë apo protestave, të garantuara me ligje e Kushtetutë, mirëpo dënon ashpër çdo përpjekje që përmes dhunës dhe kërcënimeve të bëhen përpjekje për realizimin e qëllimeve politike.
Familja dhe prona në traditën tonë gjithmonë janë konsideruar të shenjta dhe asnjëherë nuk janë cenuar nga politika.
PDK fton organet e rendit dhe drejtësisë që mos të lejojnë asnjë sjellje vandaliste, ndërsa i fton qytetarët e Kosovës që të kenë besim tek institucionet e Republikës së Kosovës, të ruajnë gjakftohësinë dhe mos të provokohen nga sjelljet e dhunshme nga kushdo që dëshiron ta shpërbëjë Republikën e Kosovës e cila ka arritur këtu falë punës dhe përkushtimit të gjeneratave të tëra të qytetarëve tanë dhe ndihmës së miqve ndërkombëtarë.