Aktuale

PDK: Njerëzit e Agim Bahtirit po e prishin procesin zgjedhor

Partia Demokratike e Kosovës ka shprehur shqetësimet e saj për dëmtimin e procesit zgjedhor në Mitrovicë.

Anëtarja e kryesisë së PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, tha se njerëz të kryetarit aktual të Mitrovicës Agim Bahtiri, po e cenojnë procesin zgjedhor, duke përdorur trenin bullgar për të vjedhur vota.

Sipas saj, një person është arrestuar në Zhabar të poshtëm, ku është zënë me një fletëvotim jashtë vendvotimit e mbushur për AKR-në.

Ajo ka ftuar qytetarët e Mitrovicës që të mos bien pre e njerëzve të tillë, por të vazhdojnë të dalin në zgjedhje.

“Megjithatë, fatkeqësisht procesin demokratik zgjedhor po e dëmtojnë dhe kërcënojnë njerëz të dyshimtë të kryetarit në largim, Agim Bahtiri në Mitrovicë, duke tentuar kështu që sërish ta aplikojnë të ashtuquajturin trenin bullgar për vjedhje të votave. Ashtu siç është raportuar kemi edhe arrestimin e një personi në Zhabar të poshtëm të Mitrovicës i cili është zënë jashtë vendvotimit me një fletëvotim të mbushur për AKR-në. Me këtë rast si PDK i ftojmë organet e rendit dhe të ligjit që të jenë në krye të detyrës dhe askund të mos e lejojnë cenimin e procesit demokratik pas veprimeve të ulëta të njerëzve të Agim Bahtirit, të cilët po prishin procesin duke aplikuar për të satën herë trenin bullgar”, tha Deliu-Kodra.

Ajo ka ftuar qytetarët e komunave ku PDK është në balotazh që të dalin dhe të votojnë në mënyrë sa më masive.

“I ftojmë qytetarët në të gjitha lokalitetet anë e kënd Kosovës të vazhdojnë të dalin masivisht në votime, të dalin në numër sa më të madh dhe me verdiktin e tyre t’ua mundësojnë komunave të tyre një të ardhme të ndritshme, duke kontribuuar kështu edhe për rritjen e mirëqenies së vet qytetarëve të tyre. Të dashur qytetarë të Prizrenit, Mitrovicës, të Ferizajt, Vushtrrisë, Rahovecit, Malishevës, Klinës, Shtimes, Dragashit dhe Kaçanikut, siç keni bërë çdoherë merreni gjithë familjen dhe miqtë e juaj dhe votoni të gjithë, fati i komunës suaj në katër vitet e ardhshme është vetëm në duar tuaja”, theksoi ajo.

Ajo theksoi se do të vazhdojnë ta informojnë qytetarin për procesin zgjedhor./KP