Aktuale

PDK në Klinë kërkon sqarim nga BE-ja për rolin e tyre në rundin e balotazhit

Dega e PDK—së në Klinë thotë se duke u bazuar nga komunikata zyrtare e Degës së AAK-së në Klinë, të publikuar në rrjetin social facebook, AAK – Dega në Klinë, rreth vizitës së përfaqësuesve të Bashkimit Evropian në degën e AAK-së, më 13 nëntor 2017, del hapur se përfaqësuesit e BE-së, janë në përkrahje të kandidatit të AAK-së për kryetar Komune Zenun Elezaj.

“Kërkojmë sqarime nga zyra e BE-së në Kosovë rreth pozicionit të tyre në këto zgjedhje dhe rreth kësaj komunikate të AAK-së meqenëse janë parafrazuar në të dhe a janë të vërteta pohimet e thëna në komunikatën e AAK-së. A është misioni i tyre vetëm vëzhgues apo përkrahës të njërit apo kandidatit tjetër për kryetar komune në Klinë?”, thuhet në reagimin e PDK-së në Klinë.

Në reagim theksohet se në bazë të deklaratës së degës së AAK-së, del se përfaqësuesit e BE-së, Toril Lund nga Norvegjia dhe Antonio Villacis nga Estonia mbështesin kandidatin e AAK-së.

“Pikërisht këta zyrtare të BE-së, janë takuar dy herë me kryetarin e Komunës dhe kandidatin e PDK-së, Sokol Bashota, dhe kanë treguar se roli i tyre është vetëm si vëzhgues”, theksohet ndër të tjerash në reagim./KosovaPress/