Aktuale

PDK-ja debaton për të ardhmen e vet

Partia Demokratike e Kosovës ka nisur sot një cikël debatesh për të ardhmen e saj, me fokus të veçantë në vlerën politike për të ardhmen e vendit.

Kreu i PDK’së, Kadri Veseli, ka thënë se anëtarët duhet ta nxisin debatin brenda partisë, me qëllimin që të minimizojmë shqetësimet, bën të ditur një komunikatë nga PDK.

“Mbyllja në cikël duhet të evitohet me debat brenda partisë dhe në këtë mënyrë edhe të nxitet meritokracia”, citohet të ketë thënë Veseli.

Ndërsa, drejtuesja e Institutit për Studime Politike të PDK’së, Anila Statovci, foli për qëllimin e këtyre debateve të cilat lidhen me vizionin e Veseli.

“Kemi dizajnuar  një seri debatesh, fillimisht brenda partisë, të cilat do t’i ofrojnë PDK-së një komunikim të drejtpërdrejtë me strukturat, anëtarësinë e gjerë, shoqërinë civile, mediat, të cilat do të na përgatisin një platformë për një reformim të duhur brenda partisë për të ardhmen e vendit”, ka thënë Statovci, bën të ditur komunikata.

Kryetari i degës së PDK-së, në Prishtinë, Lirak Çelaj, ka thënë se ky debat vjen në një kohë të veçantë, sepse dega e Prishtinës është në një moment kthese.

“Ky takim fillon me ju në një kohë kur ne si degë e PDK-së në Prishtinë jemi në një moment kthese, dhe ju jeni njerëzit me adekuat me të cilët ne do të vendosim se nga të shkojmë”, citohet të ketë thënë Çelaj.

Debatuesit mbështetën idenë e bashkëbisedimit për të ardhmen me qëllim të nxerrjes së vlerës politike, e cila do të identifikohet me Partinë Demokratike të Kosovës

Në debatin e parë të organizuar për këtë qëllim, kontribut të madhë dhanë themeluesit dhe kontribuesit shumëvjeçarë të Partisë Demokratike të Kosovës në Prishtinë, bën të ditur komunikata e PDK’së.