Aktuale

PDK: Haziri e dështoi projektin prej 3 milionë eurosh

Partia Demokratike në Gjilan e ka akuzuar qeverisjen e kryetarit të Gjilanit Lutfi Haziri për dështimin e projektit prej 3 milionë eurosh për ndërtimin e shtëpisë së pëlqeve.

Madje PDK-ja në Gjilan thotë se Lutfi Haziri ndikoi në ikjen e investitorit britanik, derisa thotë se dështimi i projekti është humbje e madhe për Anamoravën.

“Për tetë muaj, Komuna e Gjilanit, nuk ishte në gjendje të krijojë kushtet elementare për realizimin e projektit në vlerë prej rreth 3 milionë euro, ku do të punësoheshin mbi 100 të papunësuar, për kujdesin e 200 pleqve në këtë institucion. Zyrtarët e lartë të Komunës, duke keqpërdorur edhe vendimet e Kuvendit Komunal të Gjilanit, e refuzuan kërkesën e donatorit që bartës i projektit të jetë shoqata e cila ishte ndërmjetësuese për implementimin e këtij projekti, për shkak tendencës së komunës që bartës i këtij projekti të jetë dikush tjetër, me qëllime të përfitimeve personale dhe klanore”, thuhet në reagimin e PDK-së.

PDK e Gjilanit thotë se këto kushtëzime për projekte të tilla që financohen nga donatorët dhe investitorët e huaj, janë pengesa serioze që e kanë përkeqësuar jashtëzakonisht shumë klimën për investimet e huaja kudo në Kosovë, e në veçanti në komunën e Gjilanit, e cila gjatë tri viteve të fundit në vazhdimësi e ka prishur imazhin pozitiv, përmes kërcënimeve dhe fyerjeve të rënda që kanë ndodhur nga zyrtarët e lartë të LDK-së në Gjilan.

“Jo më larg se në seancën e fundit të Kuvendit Komunal, të mbajtur më 28 korrik, një asamblist i LDK-së, e quante kriminel investitorin austriak, i cili në vitin 2012 është kontraktuar nga komuna e Gjilanit për realizimin e një projekti investues në vlerë prej 1.5 milion euro, e që kjo qeverisje komunale e dëshiron të dështuar këtë projekt”, thuhet tutje në reagim.