Aktuale

PDK: Dënimet e fundit janë tendencë e mohimit të vlerave të luftës

PDK nëpërmjet një komunikate për media ka reaguar në lidhje me dënimin që Gjykata e Apelit u ka konfirmuar të akuzuarve në rastin “Drenica II”.

PDK ka përcjellë me shqetësim proceset gjyqësore ndaj luftëtarëve dhe komandantëve të UÇK-së në secilin rast, e në veçanti në rastin Drenica, thuhet në komunikatë.

“Në cilindo  rast  të këtillë, ne kemi pasur dhe kemi bindjen e thellë se lufta e UҪK-së ishte e drejtë, çlirimtare dhe që ka respektuar çdo normë ndërkombëtare. Kjo edhe është vërtetuar në shumë raste, nga të cilat është tentuar të dëmtohen figura të larta çlirimtare dhe vetë lufta e drejtë e UҪK-së. Rasti i fundit tregon një shpërfaqje të re të një qasje të tillë ku jo vetëm dënimi, por edhe i tërë procesi ishte një tendencë e mohimit të vlerave tona sublime dhe dënimit të figurave të larta edhe në kundërshtim me vetë standardet e drejtësisë të njohura në botë dhe ligjet e Kosovës”, thuhet në komunikatën e PDK-së.

Sipas partisë më të madhe në vend me këto dënime jo të  drejta, haptazi vërehet tendenca e inkriminimit të luftës së drejtë të UҪK-së dhe e krijimit të baraspeshës në mes luftës së drejtë të UҪK-së dhe agresionit të Serbisë.

“Shqetësim edhe më i madh  për ne është se janë dënuar pa të drejtë, duke u  cenuar edhe vetë sistemi i drejtësisë dhe nocioni drejtësi për qytetarin tonë. PDK ka qëndrim të qartë për drejtësinë si sistem i pavarur, profesional dhe i pa anshëm, por në çdo rast të cenimit të këtij parimi, si në këtë radhë, fton institucionet relavante vendore dhe ndërkombëtare që të veprojnë sipas ligjeve dhe standardeve ndërkombëtare në çdo rast dhe të korrektojë çdo padrejtësi që është vërejtur gjatë këtij procesi gjyqësor, që nuk duhet të jetë pjesë e jetës juridike të një shteti demokratik”, thuhet në reagim.

PDK vazhdon të beson në pafajësinë e luftëtarëve dhe në luftën e drejtë të UҪK-së, si dhe kërkon veprime që mbron imazhin e drejtësisë.

“Nuk do të pajtohemi me aktgjykime që kanë për bazë motive tjera jashtë drejtësisë”, thuhet në reagim./KosovaPress/