E vërteta sa e dhimbshme dhe e tmerrshme, është edhe e frikshme. Për ndërtimin e murit që simbolizon ndarjen e Mitrovicës, janë marrë vesh kryetari Agim Bahtiri dhe homologu i tij në veri, Goran Rakiq
Kështu ka thënë zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dega në Mitrovicë, Mehdi Haxha, sot gjatë një konference me gazetarë, me temën “Agim Bahtiri ka bërë marrëveshje me Rakiqin për ndërtimin e murit.
“Ju kemi ftuar sot që të shpërfaqim të vërtetën skandaloze për ndërtimin e murit në veri të urës së Ibrit nga strukturat paralele serbe. E vërteta sa e dhimbshme dhe e tmerrshme, është edhe e frikshme. Për ndërtimin e murit që simbolizon ndarjen e Mitrovicës, janë marrë vesh kryetari Agim Bahtiri dhe homologu i tij në veri, Goran Rakiq”, ka thënë Haxha.
Ndërkaq, nënkryetari i kësaj partie në Mitrovicë, Rrustem Musa, ka kërkuar nga organet kompetente shtetërore që kryetarit Agim Bahtiri t’i ndalohet përfaqësimi i Mitrovicës në bisedime që kanë të bëjnë me pjesën veriore të Mitrovicës, dhe ai të jap dorëheqje sa më parë.
Sipas tij, marrëveshja për murin, si dhe tentimi i Bahtirit që me kryetarin Rakiq të bëjë pazare në shkëmbimin e territoreve me pjesën veriore të Mitrovicës, janë skandalet e radhës tepër të dëmshme, jo vetëm për qytetarët e Mitrovicës, por edhe për gjithë Kosovën.
“Duke parë dëmet e vazhdueshme që po ua shkakton qytetarëve ky person i papërgjegjshëm dhe i padijshëm, duke pasur parasysh situatën e krijuar nga ky person dhe rreziqet që mund të vijnë si pasojë e veprimeve të tij, duke parë se ky person nuk është i interesuar dhe nuk ka bërë asgjë në rindërtimin e shtëpive të shqiptarëve në pjesën veriore dhe kthimin e qytetarëve në pronat e tyre e as në rindërtimin e Xhamisë së Ibrit, duke parë se te ky person ka humbur besimi i qytetarëve dhe i partive politike për të bashkëqeverisur dhe tani qeverisë me një pakicë politike, kërkojmë nga organet kompetente shtetërore që kryetarit, Agim Bahtiri t’i ndalohet përfaqësimi i Mitrovicës në bisedime që kanë të bëjnë me pjesën veriore të Mitrovicës dhe i njëjti të jep dorëheqje sa më parë”, theksoi Musa.
Ai ka falënderuar të gjithë qytetarët e Mitrovicës për durimin dhe maturinë që janë duke treguar, me shpresën se zëri I tyre do të dëgjohet dhe respektohet. Gjatë kësaj konference janë shfaqur video dhe audio të kryetarit Bahtiri që flet për murin dhe shkëmbimin e territorit. /KP