Komisioni i Zhvillimit Ekonomik i Partisë Demokratike në Gjilan nëpërmjet një komunikate shtypi ka akuzuar zyrtarët e Komunës se kanë bërë punësime familjare në kompaninë e pastrimit “Ekohigjiena”.
Sipas këtij komisioni, interesat biznesore dhe familjare të pushtetarëve kanë bërë që të degradohet dhe të zhvatet kjo kompani, duke bashkëpunuar edhe me partnerin privat “Moser Group”, e cila ka pjesën më të madhe të aksioneve në këtë kompani pastrimi, shkruan sot Koha Ditore.
Sipas këtij komisioni, zyrtarët komunalë kanë rehatuar familjarët e tyre në “Ekohigjienë”, duke filluar nga kryesuesja e KK-së Gjilanit, Valentina Bunjaku-Rexhepi, e cila ka punësuar vëllanë dhe nipin.
Kurse kanë akuzuar shefin e Grupit të këshilltarëve të LDK-së në Gjilan se është duke përfituar në baza mujore nga 660 euro për lëshim toke me qira për shfrytëzim nga kompania e pastrimit.
Ndërsa Alban Qerimi, duke shfrytëzuar pozitën e tij si menaxher i ATK -së në Gjilan, ka punësuar dhëndrin, shpërfillur të gjitha procedurat, ku 4 ditë pas shkarkimit të drejtorit ai ia nënshkruan kontratën e punës, sigurisht për favorizime nga ky institucion.