Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veseli dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, njëherësh i nominuar për kryeministër vendi, Ramush Haradinaj kanë bashkëbiseduar të shtunën me qytetarët e komunës së Rahovecit, duke e vlerësuar “Osa Termosistemin” si shembullin më të mirë të zhvillimit, së bashku me shumë fabrika të tjera të kësaj komune.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, tha se transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri do të jetë prioriteti kryesor dhe se fitorja e “Fillimit të Ri”, do të jetë fitore e Kosovës.
“Ne duhet të bëjmë hapa të vendosur, jo më të vonohemi me ushtrinë e Kosovës. Vendimmarrja e parë e përbashkët e ne si partnerë të koalicionit duhet të jetë së bashku me partnerët transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtrinë e Kosovës, në mënyrë që të kemi integrimin edhe në Aleancën Veri-Atlantike. Bashkë do të jemi një qeveri, e cila do të jetë e veprimit, e zotimit, por edhe e realizimit të të gjitha atyre që i premtojmë bashkërisht për qytetarët e vendit tonë dhe për atdheun tonë. Bashkë do të jemi edhe më datën 11 qershor kur do ta kemi një nga fitoret më të mëdha të Kosovës, fitoren e Fillimit të Ri, fitoren e Kosovës”, tha Veseli.
Për më tepër, kryetari Veseli u shpreh se do ta mbrojnë sovranitetin në çdo formë të mundshme dhe se ky do të jetë lidership i vendimmarrjes dhe vizionit.
“Nga data 12 qershor ne do të orientohemi t’i marrim përgjegjësitë tona, pa dallim orientimi politik apo vote, të cilën do ta japin qytetarët tanë më 11 qershor, në të njëjtën kohë jemi shumë të sigurt se do të kemi një nga fitoret më të mëdha ndonjëherë, për Kosovën dhe për qytetarët e vendit tonë. Do ta mbrojmë sovranitetin me çdo formë që na jep Kushtetuta, ligji dhe interesi i qytetarëve tanë, atdheut. Në të njëjtën kohë do të fillojmë me Fillimin e Ri me konceptin e një lidershipi për të marrë vendime, në të njëjtën kohë të një lidershipi, i cili ka vizion, jo vetëm se merr vendime, por ka vizion”, ka thënë Veseli.
Ndërsa, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, njëherësh edhe i nominuari për kryeministër, Ramush Haradinaj u shpreh se qëllimi kryesor i këtij koalicioni është Kosova dhe se do të punojnë në përmirësimin e gjendjes në vend.
“Lidhja e këtij fati bashkë e ka një qëllim ajo që është Kosova. Tani plot njerëz munden me thënë mendimin e vet për këtë lidhje tonë, për këtë lidhje fati të përbashkët me qëllimin dhe fatin e vendit tonë. Pse na duhet me kanë bashkë?! Se Kosova nuk mundet më sovraniteti ynë me pranuar fusnotë. Është zor më tutje edhe sovran, edhe me fusnotë, në një situatë të caktuar sido që të ketë qenë, sot s’mundem më! Nuk mundem ma si shtetas të Kosovës me qenë të nëpërkëmbur edhe në Kosovë, edhe jashtë, nuk e duron më! Është zor për të vazhduar për të jetuar në një vend ku në spital më i rrezikuar je për t’u sëmurë se me u shëruar, nuk mundem më, pra duhet me marrë vendime. Është vështirë për të vazhduar të ketë arsim që prodhon diploma, por që s’ta jep një vend pune, s’guxojmë më, duhet me nisë ndryshe”, ka thënë Haradinaj.
Krerët e të dyja partive, të cilat në garën zgjedhore të 11 qershorit janë në koalicion edhe me Nisma për Kosovën, ishin të hapur edhe ndaj shumë pyetjeve të qytetarëve në lidhje me çështje aktuale dhe mënyrën se si mendojnë ata t’i zgjedhin./KP/