Zyra për Informim e Partisë së Drejtësisë rikonfirmon se PD, në pajtim me vendimin e Kuvendit të Partisë të mbajtur më 29 maj 2016 dhe vendimin e Kryesisë së Partisë të datës 24 gusht 2016, mbështet miratimin e Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin e Kufirit Ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi, duke e vlerësuar si qëndrim konsistent politik të partisë përkitazi me këtë çështje tejet të ndjeshme për vendin dhe qytetarët e tij.
PD thekson se duke pasur parasysh faktin se demarkacioni i kufirit me Malin e Zi është i kushtëzuar me Deklaratën e pavarësisë së Kosovës si dhe dispozitat e Dokumentit të Ahtisaarit që si referencë përfundimtare përcaktojnë gjendjen administrative të kufijve më 31.12.1988, Marrëveshja e propozuar për miratim nga ana e Komisionit përkatës shtetëror paraqet propozimin më real të mundshëm në këtë moment, duke lënë mundësi për korrigjime në rrethana të paraqitjes së fakteve të reja ligjore ashtu siç e parasheh edhe projektligji.
PD edhe një herë e thekson se me rastin e vendim-marrjes për këtë çështje me rëndësi por edhe me ngarkesë të madhe historike dhe emocionale nevojitet të sigurohet shkalla maksimale e konsensusit të brendshëm politik dhe balansit ndërmjet interesave shtetërore të Kosovës dhe përgjegjësisë së sajë shtetërore për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon si dhe avancimin e partneritetit strategjik me SHBA dhe shtetet e tjera të NATO-s pa të cilin nuk mund të paramendohet realizimi i suksesshëm i interesave gjithëkombëtare dhe interesave jetike të qytetarëve të vendit.
PD njofton opinionin publik se organet qendrore të Partisë së Drejtësisë qëndrojnë unike dhe të vendosur mbi pozitat e tyre parimore përkitazi me këtë çështje duke vënë mbi të gjitha interesat shtetërore e kombëtare dhe të ardhmen e vendit.
“Zërat e izoluar të zyrtarëve të pezulluar të partisë që këto ditë dalin me komunikata individuale ose grupore përkitazi me këtë çështje nuk janë qëndrime zyrtare të partisë dhe si të tilla paraqesin dezinformim të opinionit publik”, përfundon sqarimi i PD-së.
Mbrëmë, përmes një komunikate për media nga një e-mail tjetër, por që pretendonte të jetë zyrtar nga Partia e Drejtësisë, u tha se disa degë të PD-së janë kundër kreut të saj, Ferid Agani dhe se anëtarësia e kësaj partie përkrah qëndrimin e deputetes së PD-së Labinotë Murtezi, në lidhje me çështjen e demarkacionit.