Dy raste të reja me koronavirus u konfimuan mbrëmë në Prizren. Kështu, numri aktiv i përgjithshëm i të prekurve me këtë sëmundje ngjitëse, arriti në gjithej 49 në këtë komunë.
Lidhur me dy rastet e reja, për Front Online, ka folur Drejtori i Shëndetësisë në këtë komunë, Visar Shehu.
Ai ka thënë se gjendja e dy pacientëve të rinj me COVID-19 është stabile, derisa ka treguar, se si pasojë e kontaktit me njerën nga dy të infektuarit, 22 persona do të testohen sot.
“Gjendja e tyre është në rregull. Faktikisht 3 mostra janë bërë dje, dy kanë qenë prej karantinës në Prishtinë, njëri nga ta ka dalë pozitiv, dmth nuk ka qenë person kontakti, por i kthyer, i karantinuar në konvikte. Tjetri rast është një paciente nga Infektiva. Sot janë bërë 18 ri-testime e do të testohen edhe 22 persona kontakti. Do të testohen edhe familjarët e pacientes pozitive nga Infektiva”, ka thënë Shehu.
Të dielën, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, njoftoi se nga 200 mostra të testuara, 14 kanë dalur pozitive.
“Sot më 10 maj 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 200 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren. Me SARS-CoV-2, janë konfirmuar 14 raste”, thuhet në njoftim.
Rastet pozitive, siç thotë ky institut, janë raste kontakti nga Gjilani, Prizreni, Peja, Vushtrria dhe Prishtina.
Ndryshe, deri me tani në Kosovë janë konfirmuar gjithsej 884 raste me koronavirus.
Nga ta, 655 persona janë shëruar e 28 kanë vdekur.