Aktuale

Pas sulmit në Konsullatën e Kosovës në Francë, reagon kryeministri Haradinaj

Konsullata Përgjithshme e Kosovës ne Strasburg të Francës është sulmuar gjatë këtij vikendi, me ç’rast është larguar flamuri i Kosovës i cili ishte i vendosur në shtizë.

Lidhur me këtë akt ka reaguar kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i cili e quan të papranueshëm dhe që cënon integritetin e shtetit, përcjell Gazeta Metro.

Ai ka kërkuar nga organet franceze që të zbulojnë dhe të kapin autorët e sulmit, e t’i nxjerrin ata para drejtësisë.

‘Sulmi që ka ndodhur mbi Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Strasburg, me ç’rast janë shkatërruar simbolet shtetërore, është një akt i papranueshëm që cënon integritetin e shtetit të Kosovës. Republika e Kosovës është shtet sovran që respekton ligjet dhe të drejtën ndërkombëtare dhe vepron me përgjegjësi në marrëdhëniet ndërkombëtare si një faktor i rëndësishëm i paqes dhe stabilitetit. Kërkoj nga organet franceze që të zbulojnë dhe të kapin autorët e sulmit dhe t’i nxjerrin ata përpara drejtësisë’, ka shkruar Haradinaj.

Ndërkohë, lajmin për sulmin ndaj konsullatës kosovarë në Francë e konfirmoi, Edon Cana përmes një statusi në Facebook.

Cana sulmin e ka cilësuar veprim të armiqve të Kosovës ndërsa ka thënë se beson në gjetjen e shpejtë të kryesit të veprës.

“Simbolet e Shtetit të Kosovës u pengojnë armiqëve tanë! Duke i falenderuar autoritetet franceze për mbështetjen e tyre jemi të bindur se pas forenzikës së bërë sulmuesit shpejt do të gjinden”, shkroi ai./Gazetametro.net