Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka njoftuar se e ka shkarkuar nga detyra zëvendësministrin e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Shukri Maxhuni.
“Sot kam liruar nga detyra zëvendësministrin e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Shukri Maxhuni”, ka njoftuar Haradinaj, njofton FaktePlus.
Lirimi i Maxhunit është bërë nga skandali i fundit i tij, shkarkimin e kishte kërkuar edhe zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli, njëherësh edhe presidenti i AKR-së.
Shukri Maxhuni, u lirua nga kjo detyrë për shkak të fotografive në të cilën ai shihet në veturën zyrtarë me këmbët e zbathura mbi kroskotin e makinës.
Ky gjest i tij u interpretua si përdhosje e pronës shtetërore e cila paguhet nga taksapaguesit.
Maxhuni është i njëjti zyrtar që para disa ditësh në raportin e tij dorëzuar Kryeministrit Haradinaj kishte disa shprehje mjaftë diskutabile në të.
Ai kishte shkruar se zemra e lopës është fermeri, një përpjekje kjo për ti dhënë një shpjegim shpirtëror raportit të tij për punën.
“Zemra e zhvillimit të një shteti është bujqësia. Zemra e bujqësisë është blegtoria. Zemra e blegtorisë është lopa. Zemra e lopës është fermeri. Zemra e fermerit është qumështorja. Zemra e qumshëtores është teknologu. Pa funksionuar ky zinxhir, nuk ka zhvillim”, është thënja e zëvendësministrit Maxhuni në raportin e tij 100 ditësh.
Qeveria e Kosovës aktualisht ka mbi 70 zëvendësministra, dhe është kritikuar në vazhdimësi për numrin e madh të tyre duke mos mundur të jepte një shpjegim të qëndrueshëm për nevojën e tyre. Dyshohet se zëvendësministrat janë pjesë e skemave klienteliste të partive politike në koalicionin qeveritar – dhe se një numër i madh i tyre nuk kryejnë kurrfarë pune.