Ministria e Shëndetësisë, me anë të një vendimi që ka marrë ditë më parë i ka shpallur disa fshatra të komunës së Vitisë vatra të përhapjes së koronavirusit.
Në vendimin e MSH-së thuhet se, Fshatrat Ramjan, Stubëll e Epërme, Pozheran, Skifteraj, Goshicë dhe Rruga “UÇK” në Viti janë shpallur sërish vatra të përhapjes së infeksionit.
Lidhur me këtë, për FrontOnline, ka folur kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Halitaj.
Ai tha se nuk e di arsyen se përse Ministria e Shëndetësisë e ka marrë këtë vendim.
Halitaj tha se nga komuna e Vitisë nuk ka raste të reja me koronavirus dhe se numri I të shëruarve po rritet.
“Pyetni në Ministrin e Shëndetësisë pse e kanë marrë këtë vendim, unë nuk e di arsyen, raste të reja me koronavirus në Viti nuk ka, numri i të shëruarve është në rritje, i kemi edhe 11 raste me koronavirus, edhe këta kanë më u ritestu sot, 42 persona i kemi të shëruar, persona të dyshuar nuk ka, ne nuk kemi kërkuar sqarim nga Ministria e Shëndetësisë pasi që ministria nuk është konsultuar me ne kur e ka marrë vendimin për t’i shpallur këto fshatra vatra të përhapjes së virusit , ata e dinë se kush e ka dhënë propozimin” ka deklaruar kryetari i Komunës së Vitisë.