Aktuale

Pas shkarkimeve, pasojnë emërimet – Kurti e shton edhe një zv/ministre në qeveri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar sot Nita Shala zëvendësministre të Drejtësisë.

Nita Shala është Doktor Shkencash në Drejtësi nga Graduate Institute – Geneva.

“Ajo është avokate me eksperiencë profesionale në institucione ndërkombëtare. Punoi edhe në zyrën e OKB-së në Gjenevë, për ta këshilluar ambasadën e Republikës së Shqipërisë në proceset e Këshillit për të Drejtat e Njeriut; në zyrën e Prokurorit në Tribunalin e Hagës, e angazhuar në Prokurori kundër Vojislav Sheshel dhe kundër Vlastimir Gjorgjeviq, dhe mbështetje ndërkombëtare në EURALIUS dhe PAMECA V në Shqipëri si ekspert ligjor i procesit të implementimit të Reformës dhe themelimit të institucioneve të reja në drejtësi”, thuhet në njoftimin e qeverisë.

Nga viti 2018, punon në Katedrën Penale në Fakultetin Juridik, Universiteti i Prishtinës, në lëndët e drejta penale dhe e drejta penale ndërkombëtare.

Është themeluese dhe drejtuese e komunitetit Global Shapers të Forumit Ekonomik Botëror në Tiranë dhe kryesuese e komunitetit të Global Dignity në Shqipëri dhe Kosovë. /Lajmi.net/

the authorGazetaKNN