Aktuale

Pas protestës së opozitës, reagon Rama: S’ka qeveri teknike, ka votim më 18 qershor

Përmes rrjeti social Facebook, Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur që qëndrimin e tij për protestën e opozitës, t’a bëjë publik në bashkëbisedimin me ndjekësit. Në përgjigje të një komentuesi që i kërkon të hapë rrugë, Rama i thotë prerë se nuk ka qeveri teknike, por do të ketë votim më 18 qershor.

“Zotëri kur jeni i sigurtë për fitore ne zgjedhjet e 18 qershorit atëherë përse nuk e krijoni një qeveri teknike çfarë ju frikson..? Hapi rruge krizës që ka mbuluar gjithë politikën shqiptare… Neve si populle nuk va kemi borxh për të na sorollatu. Zoti kryeministër lëshoni pe dhe hapni rruge zgjidhjes…”, është pyetja që i drejton një qytetar Edi Ramës në Facebook.

Rama: Asim, sovrani flet me vote dhe ka folur në vitin 2013 me 1 milion vota për këtë qeveri! Kjo qeveri kontratën me Sovranin e ka deri ne javën e dytë të shtatorit 2017, kështu që kjo hapja e rrugës që thua ti, në fakt është dalje nga rruga që ka përcaktuar sovrani. Kriza nuk ka mbuluar gjithë politikën shqiptare po ka mbuluar nën Çadër Partinë Demokratike, që kërkon të luajë kukullash me ty e me gjithë shqiptaret. Kuptove Asim? S’ka qeveri teknike, ka votim me 18 qershor!”,- shkruan Edi Rama.