Aktuale

Pas matjeve, dihet nëse muri në veri do të rrënohet apo jo

Ministria së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, sot pritet që të bëjë matjet gjeodezike të murit dhe zonës përreth, për të parë nëse interferon muri në krahasim me projektin për rivitalizimin e urës.

Në projekt bëhet fjalë edhe për rrugën “Mbreti Peter”, që ka qenë rrugë e qarkullueshme për vetura, e që Komuna e Veriut po e shndërron në shesh.

Portali ‘Koha’ shkruan se nëse hipotetikisht rezultatet e matjeve dalin që muri nuk interferon në projektin e BE-së, prapë se prapë muri është i jashtëligjshëm, sepse projekti i BE-së parasheh që të ketë pamje vizuale nga jugu në veri dhe anasjelltas. Ndërsa qasja në të dy anët duhet të jetë edhe fizikisht.

Pritet që ky raport dhe pikat të bëhen publike sot pasdite. Në vendngjarje kanë qenë edhe disa inspektorë komunalë, të cilët janë larguar prej aty.

Nga ana tjetër, Bedri Halimi, kryeinspektor i MMPH ka thënë se ka vendim për të rrënuar tërë murin.

Halimi këtë vendim ia ka kumtuar edhe kryetarit të Mitrovicës Veriore, Goran Rakiq.

Ndërsa Rakiq ka thënë se duhet pritur deri sa të komunikon me Komisionin Evropian.

“Ky nuk mur, ky do të ridizajnohet për një amfiteatër të hapur ku do të mbahen manifestime, kur projekti të ketë përfunduar. Nuk mund të them më asgjë, derisa përfaqësuesit e BE-së do të përcjellin atë që kemi biseduar dje”, ka thënë Rakiq, i cili sipas ekipit të KTV-së që po qëndron në vend të ngjarjes është larguar.