“I bëj thirrje zotit Basha të ndërpresë menjëherë paligjshmërinë dhe pengmarrjen e partisë, përpara se të përballet me zemërimin dhe revoltën e demokratëve.”
Ishte ky paralajmërimi i drejtpërdrejtë që Jozefina Topalli i drejtoi kryedemokratit Lulzim Basha. Dy orë kanë kaluar nga deklarata e Topallit dhe Lulzim Basha i është drejtuar zyrës së ish kryeministrit Sali Berisha.
Në këto 4 vite Berisha ka qenë i vetmi person i cili ka qenë i aftë që të ruajë balancat mes Bashës dhe Topallit. Ish lideri i djathtë jo rrallë ka luajtur dhe rolin e një paqtuesi mes të dyve, duke treguar se ka qenë i aftë të mbajë nënë fre shpërthimet e brendshme në PD.
Aktualisht zhvillimet në Partinë Demokratike kanë njohur zhvillime të shumta dhe të shpejta, pas dështimit që PD korri në zgjedhjet parlamentare të së dielës.
Lulzim Basha deklaroi se do të ngrijë funksionet e tij organizative në PD deri në zgjedhjet e 22 korrikut, ku pritet të dalë kreu i ri i selisë blu. Por një vendim i tillë është kundërshtuar ashpër nga rivalët dhe kritikët e kreut të PD-së, e në mënyrë të veçante nga ish kryetarja e kuvendit Topalli, e cila dëshiron ta shohë Bashën jashtë jetës politike që zhvillohet në PD.
Në reagimin e tij Berisha predikoi nevojën për të ruajtur kohezionin në mes të anëtarëve të PD-së, një sugjerim që deri më tani Topalli dhe shumë kritikë të tjerë nuk e kanë marrë parasysh.
Mbetet ende për t’u parë se çfarë do të ndohë në PD, por e sigurt është që tirada e përplasjeve dhe akuzave nuk do të “thahet” nga nxehtësia e verës./Gazeta Express