Rajon & Botë

Pas Bullgarisë, edhe Ukraina shënon rekord të rasteve ditore të koronavirusit

Këshilli për Siguri Kombëtare në Ukrainë njoftoi se gjatë 24 orëve të kaluara në këtë shtet janë regjistruar 4.753 raste të reja të koronavirusit.

Kjo është shifra më e lartë e rasteve ditore në shtetin e Evropës Lindore që nga fillimi i pandemisë.

Rekordi i mëparshëm prej 4.661 rastesh u shënua gjithashtu këtë muaj, para vetëm katër ditëve, më 3 tetor, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

Përpos infektimeve, gjatë kësaj periudhe u regjistruan edhe 77 viktima të reja dhe numri i përgjithshëm i të vdekurve shkoi në 4.598. Ndërkohë shifra e personave të infektuar ka shkuar në 239.337, që është një ndër më të lartat në Evropë.

Numri i rasteve ditore në Ukrainë filloi të rritej në mbi 4.000 në fund të shtatorit dhe në fillim të tetorit, duke e shtyrë qeverinë që ta zgjasë afatin e masave kufizuese deri në fund të këtij muaji.