Aktuale

Partitë ende “fshehin” emrat e kandidatëve për kryetar të Drenasit

Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, ende nuk kanë vendosur për kandidatin që do të synojë të marrë votat e drenicakëve në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Drenasit. Ndërkohë, Nisma për Kosovës, ka vendosur që në këtë garë të hyjë me kryetarin e degës Isa Xhemajlaj.

Pas dorëheqjes së Nexhat Demakut, partia më e madhe në vend, PDK, duket se ka problem të vendos për emrin e kandidatit, pasi tanimë janë disa nga anëtarët e saj në degë që kanë treguar interesim për t’ia mësyrë garës, ndërsa, përcaktimi mund të sjellë edhe përçarje në mes drejtuesve në këtë degë. Lidhur me këtë, asamblisti i PDK-së në komunën e Drenasit, Xhavit Drenori, ka paralajmëruar se sot do të shpallë kandidaturën e tij për të parin e Komunës së Drenasit për pjesën e mbetur të mandatit.

“Para qytetarëve të ftuar në këtë aktivitet dhe para jush dëshiroj të elaboroj katër fushat problematike që i kam identifikuar tash sa kohë nga pozita e anëtarit të Kuvendit Komunal në Drenas, e të cilat janë pjesa kryesore përbërëse e programit tim qeverisës për këtë pjesë të mbetur të mandatit. Ju ftoj të na mbuloni medialisht!”, thuhet në një njoftim të Drenorit.

Për këtë pozitë janë interesuar edhe kryesuesi i Kuvendit Komunal në Drenas, Naim Bazaj, i cili ka thënë se nëse PDK nuk e nominon atë për të garuar për kryetar të kësaj komune, ai do të hyjë në garë si kandidat i pavarur. I gatshëm që ta lë detyrën e Ambasadorit të Shqipërisë dhe t’i hyjë garës për kryetar, nëse vendos PDK-ja, është shprehur edhe Ramiz Lladrovci. Kurse, si kandidat i mundshme është përmendur edhe deputeti, Bislim Zogaj.

KosovaPress ka tentuar të dijë nga PDK dhe LDK në qendër lidhur me emrat por një gjë e tillë ka qenë e pamundur.

Ndërsa, Muharrem Nitaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, i ka thënë KosovaPress-it se ende nuk kanë vendosur nëse do të kenë kandidat për kryetar. Megjithatë, ka shtuar se në këtë komunë kanë shumë votues sepse kanë udhëheqësi të re të AAK-së në Drenas, si dhe shtrirje më të mirë në komunë.

“Por ende nuk kemi vendosur nëse do të kemi kandidat apo jo”, tha ai.

Teute Rrustes, Koordinatore e Qendrave të Lëvizjes Vetëvendosje i ka sqaruar për KosovaPress-it, se në Lëvizjen Vetëvendosje kandidatët për kryetarë të komunave votohen nga anëtarësia e komunave.

“Pra, edhe për kandidatin për kryetar të Drenasit voton anëtarësia në Drenas. Ende nuk është hapur diskutimi për emrat, por shumë shpejtë do të merret vesh kjo gjë, dhe gjithçka do ecën sipas procedurave që parasheh statuti i organizatës”, tha ajo.

Sipas saj, Lëvizja në vazhdimësi është duke u angazhuar dhe duke punuar në terren, pavarësisht zgjedhjeve dhe si rrjedhojë e kësaj vjen edhe rritja jonë e vazhdueshme në secilën komunë dhe në nivel vendi.

Ndryshe, nga ta Nisma për Kosovën, tanimë ka bërë publike se kryetari i degës Isa Xhemajlaj është kandidati i tyre për pozitën e të parit në këtë komunë. Shefja e grupit parlamentar të Nismës për Kosovën, Valdete Bajrami ka thënë për KosovaPress se kanë një kandidat më të mirë se sa partitë tjera sepse ka një bagazh patriotik dhe intelektual, të cilin partitë tjera do ta kenë si konkurrent të fortë./KosovaPress/