Aktuale

Partia e Drejtësisë dënon sulmin terrorist në Mançester

Partia e Drejtësisë e dënon fuqishëm sulmin terrorist në Arenën e Mançesterit në Britaninë e Madhe, duke e vlerësuar si përpjekje të përsëritur të grupeve dhe individëve të sëmurë që nëpërmjet goditjes së vlerave qytetëruese t’ua imponojnë mendësinë e mesjetës qytetarëve të pafajshëm të botës.

“Çdo akt terrorist, kudo që ndodhë në botë e veçanërisht në shtetet mike siç është Britania e Madhe, simbolin e tolerancës dhe integrimit të komuniteteve të gjitha llojeve, ngjallë ndjenjat e pikëllimit e dhembjes dhe njëkohësisht e rritë solidaritetin te çdo qytetar i Kosovës dhe institucionet e vendit”, thuhet në reagimin e PD-së.

Sipas PD-së asnjëherë në historinë e njerëzimit agresiviteti i vrazhdë e primitiv nuk ka arritur që pafundësisht ta mundë dashurinë dhe kulturën e qytetëruar njerëzore dhe nuk do ta arrijë këtë as në kohërat tona.

“Partia e Drejtësisë shpreh ngushëllime për familjet e viktimave të pafajshme dhe uron shërim të shpejtë e të plotë të plagosurve”, thuhet në reagim./KosovaPress/