Rajon & Botë

Parlamenti britanik voton ndryshimet në marrëveshjen Brexit

Ligjvënësit britanikë pritet të votojnë kërëtë martë një numër të madh ndryshimesh në marrëveshjen e qeverisë, ku jepen hollësitë se si do të dalë vendi nga Bashkimi Evropian.

Janë dashur 18 muaj negociata mes të dy palëve për arritjen e marrëveshjes, por ajo kërkon miratimin e parlamentit. Ndërsa votimi i realizuar në mes të janarit rezultoi me një humbje të madhe për planin e Kryeministres Theresa May.

Nga ana tjetër kryeministrja May ka deklaruar se do të vazhdojë me planet për marrëveshjen, por do të kërkojë disa ndryshime për të fituar mbështetjen e nevojshme.

Një propozim ka të bëjë me njërin ndër shqetësimet më të mëdha të atyre që kundërshtojnë marrëveshjen. Ata nuk pranojnë një dispozitë e cila e mban Britaninë në një bashkim doganor me Bashkimin Evropian, për të siguruar një kufi të hapur midis Irlandës së Veriut dhe anëtares së BE-së, Irlandës.

Partia konservatore e zonjës May po mbështet tani ato që ajo i quan “masa alternative” për të kapërcyer shqetësimet rreth lidhjes së politikave të Britanisë me rregullat e BE-së.

Nuk është e sigurt nëse këto ndryshime do të ishin të mjaftueshme për të fituar miratimin në parlament. Ekziston edhe çështja nëse Bashkimi Europian do të binte dakord t’i bënte ndryshime marrëveshjes. Gjatë gjithë debatit në Britani, udhëheqësit e BE-së kanë thënë vazhdimisht se nuk kanë ndërmend të bëjnë ndryshime. Pritet që Britania do të largohet nga blloku më 29 mars.

the authorBurbuqe Metolli