Aktuale

Paralajmërohen masa ndëshkimore për ata që shesin thëngjill në Kosovë

Rrugët e kryeqytetit së shpejti do të jenë ‘të pastra’ nga thëngjilli, pasi që përveç ndalimit të përdorimit të tij, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor do të ndërmarrë aksione edhe për konfiskimin e kësaj lënde djegëse me qëllim të mbrojtjes nga ndotja e ajrit.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, gjatë raportimit para Komisionit për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, lidhur me gjendjen e mjedisit në Kosovë, ka bërë të ditur se do të konfiskohet i gjithë thëngjilli që gjendet për shitje në rrugët e kryeqytetit.

Matoshi bëri të dikur se së shpejti do të aktivizohet edhe ‘Policia e Gjelbër’, pasi që janë identifikuar probleme gjatë zbatimit të detyrave. Sipas tij, gjendja e mjedisit për vitin 2017 tregon për një gjendje jo të mirë përkundër përpjekjeve për mbrojtjen e tij.

Matoshi, tha se në ndotjen e ajrit ka ndihmuar edhe dhënia falas e thëngjillit për punëtorët e KEK-ut. Ndërsa kryeshefi i Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit, Ilir Morina, tha se tejkalimet e ndotjes së ajrit kanë filluar para 3 javësh, ndërsa foli edhe për ditët kur ka pasur tejkalim të normës së lejuar për ndotjen e ajrit. Morina tregoi edhe faktorët kryesorë të ndotjes së ajrit në vend, ku vëmendje të posaçme i kushtoi përdorimit të ‘peletit’, për të cilin tha se mund të jetë më i rrezikshëm sesa thëngjilli.

Kryetari i Komisionit, Muharrem Nitaj, u shpreh i pakënaqur që deri në muajin prill nuk do të kenë një raport të detajuar. Ndërsa pati edhe pyetje për ministrin Matoshi.

Në këtë pikë, Matoshi tha se nuk kanë mundur të marrin një vendim të tillë për shkak se thëngjilli është përdorur edhe në institucione publike. Ai theksoi se janë marrë vendime për ndalimin e përdorimit të thëngjillit edhe nga institucione përkatëse, siç është MASHT-i.

Ndërsa u shpreh optimist se ndalimi i dhënies së thëngjillit për punëtorët e KEK-ut, do të ndihmojë në uljen e ndotjes së ajrit në vend, pasi që ky thëngjill shpeshherë sipas tij, pati përfunduar me shitje.

Deputeti i Vetëvendosjes, Salih Zyba, shprehi pakënaqësitë e tij pasi që tha se shumë pak u fol për raportin, teksa tha se nuk duhet të ketë shtyrje afatgjatë për pyetjet e deputetëve për ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Pas kësaj, mbledhja e sotme u shty për shkak të seancës së jashtëzakonshme, ndërsa paraprakisht, komisioni vendosi që brenda kësaj jave të caktohet dita për vazhdimin e kësaj mbledhjeje.

the authorBurbuqe Metolli