Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Igor Soltes, ia ka kujtuar institucioneve të Republikës së Kosovës kohën kur paraardhësja e tij, Ulrike Lunaçek kërkonte me ngulmë që të ratifikohet Demarkacioni me Malin e Zi.
“Në vitin 2016 Kosova ishte në bordin e trenit të Liberalizimit të Vizave, së bashku me Gjeorgjinë dhe Ukrainën. Duke i ditur mirë procedurat e brendshme të BE-së, paraardhësja ime Ulrike Lunacek i paralajmëroi shumë herë politikanët e Kosovës se largimi nga ai tren do ta ngadalësonte procesin pafundësisht”, ka thënë Igor Soltes në një intervistë për Gazetën Express.
Sipas tij, fakti që nuk u dëgjuan këshillat e saj, ai ka thënë se “Kosova ka dalë jashtë trenit të vizave”.
“Kjo është arsyeja pse ajo insistoi në ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi sa më shpejt që të jetë e mundur. Këshilla e saj nuk u dëgjua. Kosova tani është jashtë trenit dhe ende nuk e dimë kur Kosova do të jetë në gjendje ta kapë atë tren përsëri. Kjo ka qenë një mundësi e humbur dhe tash qytetarët e Kosovës po e paguajnë koston e kësaj”, ka thënë ndër tjera Igor Soltes.