Aktuale

Para vizitës së Bidenit, Mustafa kujton fjalët e Rugovës për SHBA’në

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në një postim në rrjetin social Facebook ka kujtuar fjalët e presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga e cila priste ndihmë për Kosovën.

Kryeministri ka thënë se në vitin 1998 gjatë vizitës në Washington me Bujar Bukoshin dhe Ibrahim Rugovan, ish-presidenti Rugova i kishte thënë që të vetmen shpresë Kosova e ka tek miqët amerikanë.

Mustafa në një status ka kujtuar takimin e vitit 1998 në Washington me liderë të SHBA-ve gjatë asaj kohe.

“Në vitin 1998 isha në Washington së bashku me dr Bujar Bukoshin, Kryeministër i atëhershëm i Qeverisë së Republikës së Kosovës (e cila vepronte jashtë vendit). Presidenti Rugova dhe Kryeministri Bukoshi me anëtarë tjerë të delegacionit nga Kosova kishin takime të nivelit më të lartë në SHBA. Në bisedë me Rugovën, ashtu siç ishte ai, i thjeshtë, i drejtpërdrejtë dhe i përpiktë në mendime, u shpreh: ‘ Të vetmen shpresë e kemi këtu, te këta miqtë tanë. Këta do të na ndihmojnë. Besoj shumë..’”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

“Pranë vetes mbante disa gurë të vegjël të Trepçës. I kishte përgatitur për t’ua dhuruar miqve tanë. Një simbolikë nga Kosova që ai praktikonte me admirim, një dëshmi e tokës sonë dhe e pasurisë së Kosovës”, ka shtuar kryeministri i Kosovës, i cili thekson se “20 vjet më vonë Kosova po e pret zëvendëspresidentin e SHBA-së, Joe Baiden, njeriun dhe përfaqësuesin e shtetit që bëri shumë për Kosovën dhe Ballkanin”.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës i prinë Aleancës Veriatlantike për çlirimin e Kosovës nga dhuna dhe represioni serb; Shtetet e Bashkuara të Amerikës prinë në njohjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës; Shtetet e Bashkuara të Amerikës na përkrahën me përkushtim të veçantë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila njohu të drejtën e Kosovës për pavarësi: Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin donator më i madh në ndërtimin e Kosovës së pasluftës;

Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin partneri ynë kryesor në ngritjen e institucioneve demokratike bazike të shtetit të Kosovës, atyre të drejtësisë, policisë, FSK-së; AKI-së, doganave…;”

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin mbështetësi kryesor për njohjen e shtetit të Kosovës nga vende të ndryshme anekënd globit;

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta bëjnë investimin më të madh privat në energjetikë në Kosovë, ndërtimin e Kosovës së Re, i cili investim tejkalon një miliardë euro; Këto dhe shumë rezultate dhe fitore i realizuam duke besuar thellë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

“Kosova e pavarur, demokratike, e integruar në Bashkimin Evropian dhe në NATO dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”- ngulte këmbë Presidenti Historik dr. Ibrahim Rugova.

Liria, Pavarësia dhe Demokracia e Kosovës frymon, para së gjithash, falë Shteteve të Bashkuara të Amerikës!”