Ekonomi

Paqartësia gjeopolitike forcon jenin

Valuta jeni të martën është forcuar kundrejt dollarit dhe euros në tregun ndërkombëtar, në tregtimin e kujdesshëm pas vazhdimit të paqartësive në planin gjeopolitik, në mesin e tjerave, edhe lidhur me zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Francë.

Dollari amerikan u dobësua kundrejt valutës japoneze 0,4 për qind, në 110,54 jenë. Indeksi i dollarit, i cili mat vlerën e valutës amerikane ndaj gjashtë valutave tjera më të fuqishme botërore, ishte në fitim më të vogël, në 100,98 pikë.

Gjeopolitika ka shtyrë në plan të dytë pritjet lidhur me ngritjen e shkallës së kamatave në SHBA, ndërsa në fokus ishin edhe paqartësitë e ndërlidhura me Korenë Veriore dhe situatën në Siri.

Në mëngjes euro tregtohej me 1,0592 dollarë, që nënkupton se është dobësuar  0,1 për qind në krahasim me një ditë më herët. Ndërkaq, jeni është forcuar ndaj euros. Në një situatë të tillë, euro është dobësuar 0,4 për qind, në 116,880 jenë, në shkallën më të ulët në katër muajt e fundit.