Aktuale

PAN konfirmon se do të shkojë në takimin e së mërkurës

Partia Demokratike e Kosovës dhe koalicioni PAN do të marrin pjesë në takimin konsultativ të së martës, të thirrur nga kryesuesi i seancës konstituive, Adem Mikullovci. Këtë e bënë të ditur zyrtarë të PDK-së, të cilët thane se në seanca e sotme është një abuzim i paprecedentë i foltores dhe shkelje e normës kushtetuese.

Ata edhe një herë thanë se kandidat i këtij koalicioni për kryetar të Kuvendit është Kadri Veseli.

Anëtari i kryesisë së Parisë Demokratike të Kosovës, Fehmi Mujora tha se PAN shkon të mërkurën në takimin konsultativ të thirrur nga kryesuesi i Kuvendit Adem Mikullovci.

“Partia Demokratike e Kosovës dhe PAN-i të mërkurën shkojnë në konsultime të vendosur në rrugën parimore, në rrugën kushtetuese për të ofruar zgjidhjen e cila është e vetme dhe ajo është zgjidhja kushtetuese, që nënkupton që do ta propozoj kandidatin për kryetar të parlamentit. PAN kandidat për Parlamentin e Kosovës e ka kryetarin e Parisë Demokratike i legjitimuar me votën e qytetarëve dhe PAN si fituese e zgjedhjeve, këtë punë e ka rregulluar Kushtetuta, rregulloret e Kuvendit dhe nuk kemi kohë për të humbur në këtë drejtim”, tha ai.

Ndërsa, anëtari i kryesisë së PDK-së, Besim Beqaj, ka komentuar seancën e mbajtur gjatë ditës së sotme duke thënë se ishte jo ligjore dhe jo kushtetuese.

Ai tha se është një seancë konstituive e cila nuk mund të procedohet pa prezencën e koalicionit fitues të zgjedhjeve dhe se sipas tyre është një abuzim i paprecedentë i foltores dhe shkelje e normës kushtetuese.

“Me 55 kandidatë, deputetë sepse ende as Kuvendi nuk është i themeluar të mendosh të mbash seancë dhe të imponosh në formë krejt diktat i jashtëzakonshëm në nivel të shtetit dhe të abuzosh me qytetarë dhe të abuzosh me qytetarët është diçka e jashtëzakonshme. PAN nuk është bllokues, ne kemi nevojë, mandatari ka nevojë për konsulta shtesë, ne do t’i themelojmë institucionet shumë shpejt dhe normalisht të gjithë ata të cilët po performojnë një jo kushtetutshmëri, po përformojnë një abuzim dhe po krijojnë veprime të paprecedentë, sepse po e them asnjë normë kushtetuese nuk e lejon një gjë të tillë, është keqpërdorim i institucionit, i foltores dhe keqpërdorim i prezencës së vjetërsisë të deputetit i cili kësaj radhe ka qëlluar të jetë i Vetëvendosjes. Pra, është një abuzim i drejtpërdrejtë i Vetëvendosjes”, tha ai.

Për më tepër Beqaj tha se ata nuk e kanë të drejtën kushtetuese për të themeluar Kuvendin pa prezencën e PAN-it.

Gjatë ditës së sotme është mbajtur seanca konstituive por e cila është ndërprerë për shkak të mungesës së kuorumit, pasi që koalicioni PAN nuk kishte marrë pjesë në këtë seancë./kp